Strugë, hapet konsullata e përgjithshme e Shqipërisë
Në qytetin e Strugës u zhvillua ceremonia zyrtare...

Në qytetin e Strugës u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Hapja e kësaj përfaqësie konsullore përfaqëson një hap domethënës në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoni morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z.Timço Mucunski.
Të dy ministrat përshëndetën të pranishmit me fjalë rasti, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të pranisë diplomatike shqiptare në Strugë.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar mbi një themel të fortë miqësie, bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Ne vlerësojmë lart progresin e bërë ndër vite dhe mbetemi të përkushtuar për ta çuar më tej këtë marrëdhënie në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, social dhe kulturor. Në këtë frymë, mbështetja për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të Marrëveshjes së Ohrit mbetet thelbësore. Ky dokument themeltar për shoqërinë shumetnike të Maqedonisë së Veriut garanton jo vetëm barazi e përfaqësim të drejtë, por edhe vetë stabilitetin e brendshëm dhe rrugën evropiane të vendit.”, - deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Strugë është emëruar z. Petrit Musai, i cili do të udhëheqë misionin diplomatik me synim forcimin e lidhjeve me diasporën dhe mbështetjen e shtetasve shqiptarë në këtë pjesë të Maqedonisë së Veriut.
Hapja e Konsullatës në Strugë u vlerësua si një ngjarje historike për qytetin dhe shqiptarët nga të dyja anët e kufirit, duke i dhënë Strugës një rol të ri diplomatik në shërbim të bashkëpunimit dhe afërsisë mes dy vendeve. (Fitore Istrefi, TVM2)
