Botë
Bosnjë dhe Hercegovinë, shënohet 30-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës
08.07.2025 14:13
Në Bosnje e Hercegovinë ka nisur Marshi i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë....

Në Bosnje e Hercegovinë ka nisur Marshi i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Gjatë tri ditëve të ardhshme, mijëra pjesëmarrës do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe. Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore “Potoçari”, ku më 11 korrik shënohet 30-vjetori i masakrës. Njëkohësisht, më 11 korrik do të varrosen eshtrat e shtatë viktimave të masakrës që u gjetën gjatë vitit të kaluar.
Në Sarajevë u mbajt edhe Konferenca Ndërkombëtare “Srebrenica 1995–2025 – Përballja me të kaluarën”. Në konferencë ishte e pranishme edhe Mura Mustafiq, një nënë e Srebrenicës, e cila kishte humbur tre djemtë e saj dhe bashkëshortin.
“Në Srebrenicë i kam humbur tre djemtë dhe burrin. Kam mbetur e vetme, është shumë vështirë, por patjetër të jetosh. Është e vështirë, por falë zotit po përkujtohen, të dihet se çka kanë bërë.”, - u shpreh një nënë nga Srebrenica, Mura Mustafiq.
Ndërsa kryetarja e qendrës për hulumtime pas konfliktit, Velma Shaqiq, thotë se mohimi i gjenocidit duhet dënuar.
“Shpresoj se do ta rregullojmë mohimin e gjenocidit. Kohë më parë ishim dëshmitarë të dënimit të parë të mohimit të gjenocidit. Ky është një hap që na jep shpresë se glorifikimi i krimeve të luftës do të jetë gjithnjë e më i vogël.”, - theksoi Lelma Shaqiq nga Qendra për Hulumtime pas konfliktit.
Më 9 korrik të vitit 1995, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiq hynin në enklavën myslimane të Srebrenicës, zonë e deklaruar e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 korrik u vranë me mijëra civilë, e brenda pak ditësh nga 11 deri më 18 korrik të të njëjtit vit u ekzekutuan mizorisht rreth 8.000 meshkuj myslimanë të Bosnjës.
Ndërkohë, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në ceremoninë përkujtimore për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë dha mesazhin se kjo nuk duhet të ndodhë kurrë më. Metsola përkujtoi se mijëra myslimanë boshnjakë u masakruan, u zhdukën dhe u zhvendosën me forcë nga shtëpitë e tyre. Edhe disa eurodeputetë vunë në dukje se Evropa dështoi të parandalonte gjenocidin në Srebrenicë dhe se duhet të bëhen përpjekje për të parandaluar gjenocidet e reja, duke pranuar se gjenocidet janë kryer edhe në Evropë.
ABIBE QAILI
