Rajon

Kosovë, Lista Serbe kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër

08.07.2025 14:23

Autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë...

Autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Por, ndërtimi i urave që lidh dy komunat e Mitrovicës nuk po i pëlqen Listës Serbe, e cila ka nisur një peticion kundër ndërtimit të këtyre urave. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ndërtimin e urave e sheh si “projekte në dëm të komunitetit serb”.
 
BE: Urat, zhvillim i rëndësishëm praktik dhe politik
 
Ndërkohë Bashkimi Evropian vlerëson se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë paraqet një zhvillim me rëndësi, si në aspektin praktik ashtu edhe në atë politik. Por, zyrtarët në Bruksel theksojnë se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim dhe dialog të ngushtë me të gjitha komunitetet e përfshira.
 
“Është thelbësore që projekte të tilla të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale.”, thonë nga Zyra e Shtypit e Bashkimit Evropian.
 
Kurti: Nga urat përfitojnë të gjithë qytetarët
 
Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave: njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllim i këtij projekti është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut dhe anasjelltas.
 
“Mbi lumin Ibër gjithsej janë 77 ura në tri shtete: Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi, pa i numëruar hekurudhat. Prej tyre, 35 janë në Kosovë. Së shpejti në vjeshtë do ta inaugurojmë si përmbyllje e punimeve. Jemi shumë të gëzuar, sepse përfitojnë të gjithë qytetarët, pa dallim.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Dy urat e reja do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës paralajmëroi mundësinë e hapjes së urës edhe për automjete, por në këtë urë vazhdojnë të qëndrojnë pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa BE-ja kërkon që të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë ato që kanë të bëjnë me urën e Mitrovicës, të zbatohen në tërësi.
 
GYLTENE SINANI