Maqedoni

Hapja e konsullatës së Shqipërisë, VLEN: Forcon më tej lidhjet me Shqipërinë

08.07.2025 15:11

Struga shndërrohet në pikë referimi të diplomacisë shqiptare në rajon....

Struga shndërrohet në pikë referimi të diplomacisë shqiptare në rajon. Partitë politike shqiptare me vlerësime të ngjashme kanë përshëndetur hapjen e konsullatës në këtë destinacion turistik, duke i dhënë qytetit edhe epitetin e destinacionit diplomatik.  Koalicioni VLEN konsideron se qyteti po hap një kapitulli të ri të përforcimit të lidhjeve shqiptare përtej kufijve administrative.
 
“Është një hap i shumëpritur, i cili forcon më tej lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë më të prekshme dhe më funksionale praninë e shtetit amë në jetën e qytetarëve tanë. VLEN-i e përshëndet këtë zhvillim si një akt me rëndësi strategjike dhe simbolike, një hap më afër bashkëpunimit ndërshqiptar.”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.
 
Taravari: Afrim institucional dhe kombëtar
 
Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, ka përshëndetur këtë hap duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për afrimin institucional dhe kombëtar me shtetin shqiptar. 
 
“Struga është bërë edhe qytet i diplomacisë shqiptare. Ky zhvillim është një shenjë e qartë e vullnetit politik për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, si dhe një ndihmesë konkrete për mijëra qytetarë që tashmë do të mund të përfitojnë nga shërbimet konsullore pa pasur nevojë të udhëtojnë në distanca të largëta.”, ka deklaruar Taravari në një status në rrjetet sociale.
 
Përpos struganëve, konsullatës do të mund t’i drejtohen edhe qytetarët e Ohrit, Manastirit, Kërçovës, Dibrës, Gjevgjelisë dhe Resnjës. Marrëdhëniet diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datojnë nga viti 1993.
 
MERAL ISMAILI