Maqedoni
9 zjarre aktive, dyshime se zjarri në Bllacë është i qëllimshëm
08.07.2025 15:55
Ka vazhduar beteja e institucioneve vendore me stuhinë e zjarrit, që ka përfshirë disa komuna të vendit...

Ka vazhduar beteja e institucioneve vendore me stuhinë e zjarrit, që ka përfshirë disa komuna të vendit, por sigurisht se më serioz ka rezultuar të jetë zjarri në komunën e Çuçer-Sandevës, ku ka përfshirë edhe një pjesë të fshatit Bllacë. Sipas kryetarit të kësaj komune, Sashko Komnenoviq, zjarri ka përfshirë edhe 7 shtëpi, ku një person është i lënduar, por është jashtë rrezikut për jetë.
Zjarret të cilat kanë shpërthyer gjatë tre ditëve të fundit në pjesën e Çuçer-Sandevës dhe të Bllacës, edhe pse institucionet shtetërore pohojnë se janë nën kontroll, megjithatë kryetari i kësaj komune, Sashko Komnenoviq, tha se dhjetëra zjarre të tilla janë akoma aktive, ndërsa si pasojë e tyre plot 7 shtëpi janë përfshirë nga këto zjarre, e ku një person është lehtë i lënduar dhe i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin shtetëror. Ndërsa nga Qendra për Menaxhim me Krizat kanë pohuar se gjatë ditës së sotme, nga dhjetë zjarret, të cilat janë në ambient të hapur, 9 prej tyre janë aktive, ndërsa njëri është lokalizuar.
“Deri në këto momente kemi të djegura 7 shtëpi, në fshatin Kuqevishtë, ndërsa vetëm para pak çastesh kuptova se edhe një person është lehtë i lënduar, pra bëhet fjalë për Ivan Kukurovskin, i cili ka marrë pjesë aktive në shuarjen e zjarreve. Në këtë pjesë janë djegur plot 2.000 hektarë dhe mendoj se të gjitha këto zjarre janë të shkaktuara nga faktori njeri. Akoma kemi edhe disa zjarre aktive, ndoshta intensiteti është më i ulët.”, - theksoi kryetari i komunës së Çuçer-Sandevës, Sashko Komnenoviq.
Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, për TVM2, ka theksuar se zjarret janë nën kontroll dhe nuk ka rrezik për vendbanimet e banuara.
“Momentalisht në territorin e vendit kemi 10 zjarre aktive, ku njëri është vënë në kontroll, ndërsa për të tjerat po bëhet përpjekje që shumë shpejt t’i vendosin nën kontroll. Sa i përket zjarrit në Bllacë, njëri krah i zjarrit është lokalizuar dhe shumë shpejtë presim që ta lokalizojmë edhe krahun tjetër dhe momentalisht nuk ka rrezik për vendbanimet apo për fshatrat afër Bllacës dhe rrethina. Kurse raporti me pushtetin lokal, por edhe me institucionet tjera, është i vazhdueshëm dhe jemi në konsultime 24 orë me të gjitha institucionet dhe besojmë se shumë shpejtë do të lokalizohen edhe ato vatra ku momentalisht ka zjarre.”, - u shpreh drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
Por, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, ka pohuar se zjarre kemi pasur edhe në të kaluarën dhe do t’i kemi ato në vazhdimësi.
“Dy zjarre janë shumë trishtuese, por ky është realiteti ynë, zjarre kemi pasur dhe do t’i kemi. Për shkak ngrohjes globale, numri i tyre vazhdimisht po rritet dhe mund t’ju them se zjarre do të kemi me siguri deri në tetor. Prandaj, Qeveria shumë shpejtë do të vendosë se a do të shpallet gjendje krize, e cila do të nënkuptojë edhe kyçjen e armatës. Por, kemi indikacione se zjarret janë të vendosura nga faktori njeri.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Ndryshe nga Qendra Për Menaxhim Me Kriza kanë bërë të ditur se deri në mesditë ka gjithsej 10 zjarre, ku 9 janë aktive dhe një është i lokalizuar. Zjarret aktive janë në komunat e Prilepit, Makedonski Brod, Veles, Çashkë, Probishtip, Çuçer-Sandevë, Shuto Orizare, Dojran, ndërsa zjarri është lokalizuar në komunën e Dellçevës.
FITIM KRYEZIU
