Parlamenti Evropian do të votojë për raportin e Vajcit
Parlamenti Evropian sot në kuadër...

Parlamenti Evropian sot në kuadër të seancës së kësaj jave në Strasburg, do të votojë për miratimin e Raportit të eurodeputetit austriak Tomas Vajc për vendin për vitin 2023 dhe 2024.
Në propozim tekstin e raportit janë paraqitur gjithsej 28 amandamente, mes të cilave edhe tre si propozim i përbashkët i eurodeputetëve Andzhej Halicki në emër të Partisë popullore evropiane (PPE), Ketlin Van Brempt në emër të Aleancës progresive të socialistëve dhe demokratëve (SD) dhe Dan Barna në emër të grupit liberal “Të rinovojmë Evropën” (RE), me të cilat kërkohet fshirja e formulimit “gjuha dhe identiteti maqedonas” nga dokumenti.
Votimi i sotëm vjen pas debatit parlamentar të mbrëmshëm për Raportin, në të cilin Vajc, i cili është raportues i Parlamentit Evropian për vendin, tha se dokumenti jep një pamje të plotë për atë se ku ndodhet vendi dhe në të përshëndeten disa arritje, por kërkohen edhe reforma, dhe flitet për gjuhën e urrejtjes, krimet e urrejtjes, nevojën për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, dhe jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për rezultatet që do të ndihen nga qytetarët.
Vajc theksoi se 20 vjet më parë, vendi ishte udhëheqës i procesit të pranimit në BE, të cilin e filloi së bashku me Slloveninë.
“Ku është Sllovenia sot dhe çfarë i ndodhi Maqedonisë së Veriut? Epo, pati disa pengesa gjatë rrugës. Pengesa që lidhen me historinë, pengesa që lidhen me luftërat e shekullit të kaluar, pengesa në rrugën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira dypalëshe me fqinjët. Por marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të ndërtohen gjithmonë nga të dyja palët, kjo është shumë e qartë”, - shtoi Vajc.
