Evropiani i femrave në futboll, Asllani udhëheq Suedinë drejt fazës nokaut
Gjithçka ishte e lehtë për suedezet...

Gjithçka ishte e lehtë për suedezet në ndeshjen e tyre të dytë në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të Femrave. Ndërsa në këtë ndeshje figurë qëndrore ishte futbollistja shqiptare Kosovare Asllani, që shkëlqeu në paraqitjen e 201-të për Suedinë.
Asllani shënoi gol të bukur me kokë dhe bëri asistim për ta udhëhequr Suedinë drejt fitores 3:0 ndaj Polonisë. Me këtë fitore, Suedia ka avancuar në fazën nokaut të Evropianit të futbollisteve që po mbahet në Zvicër.
Asllani ishte kapitene e Suedisë, dhe fushën e la në minutën e 68-të. Asllani tani i ka 49 gola për Suedinë.
Gjermania në Basel me përmbysje të rezultatit me 2:1 e mundi Danimarkën. Ishte fitorja e dytë për gjermanet, ndërsa danezet janë praktikisht të eliminuara.
Si suedezet edhe gjermanet me dy fitore në këtë evropian kanë siguruar kualifikimin në fazën e garave me eliminime.
Cila nga këto dy përfaqësuese në ¼ e finales do shkojë si e para do të vendosë përballja e tyre direkte e cila në program është të shtunën.
Transmetimi direkt në servisin publik mund ta ndiqni nga ora 21:00.
