Kuvendi i RMV-së përkujton masakrën e Srebrenicës

09.07.2025 13:45

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut...

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me një seancë të veçantë shënoi 30-vjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me këtë rast tha se përkujtimi i këtij gjenocidit nuk është vetëm akt formal, por është një akt i domosdoshëm moral, njerëzor për të nderuar viktimat dhe pa harruar gjenocidin e tmerrshëm të boshnjakëve, gjenocid i cili më përmasa akoma më të mëdha po ndodh aktualisht në Gazë.

“Sot edhe 30-vjet më vonë, ne e ndjejmë se as gjaku nuk është tharë, e as lotët nuk kanë reshtur, e as dhimbja nuk është tretur. Është kjo një tragjedi që të gjithëve na e ndalë frymën dhe na i harxhon fjalët. Të flasësh për Srebrenicën nuk është aspak e lehtë, çdo fjalë, mesazh apo frazë, që mund ta them është më e zbrazët dhe e dobët, por edhe e pamjaftueshme për të përshkruar thellësinë e dhimbjes që është përjetuar më 9 deri më 11 korrik 1995, ku mbi 8.000 jetë të shuara padrejtësisht nuk janë vetëm histori e trishtueshme e Srebrenicës, por janë një traumë kolektive për një thirrje të fuqishme për drejtësi dhe reflektim. Një Srebrenicë tjetër, madje me përmasa shumë më të mëdha po ndodh sot në Gazë, ku një popull është ekspozuar në zhdukje fizike dhe po vdes jo vetëm nga plumba dhe granata, por edhe nga mungesa e bukës. Luciferit nuk i ka mjaftuar Srebrenica dhe si duket nuk do t’i mjaftojë as Gaza.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
 
Njëherit u theksua se dhimbja është akoma më e rëndë dhe më e thellë, dhe e papërshkrueshme, kur kujtohet se kryerësit e kësaj masakre, para tre dekadash, jo vetëm që ekzekutuan mbi 8.000 boshnjakë, por ato edhe zhvendoseshin nga njëra në tjera varreza masive, trupat e të cilëve edhe sot disa nuk janë gjetur.
 
Kjo është një tragjedi që e ka ndryshuar historinë e rajonit, Evropës, por edhe tërë botës. Para tre dekadash, gjatë disa ditëve u vranë 8.000 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem, por njëra nga viktimat që do të varroset të premten në Potoçari është gruaja Fata Bektiq, e cila  kishte vetëm 67 vjet dhe që do të prehet në Potoçari.”, - theksoi përfaqësuesi i Unionit Kombëtar Boshnjak, Xhevad Hot.

"Ata u vranë dhe më pas trupat e tyre zhvendoseshin nga njëra në varreza tjera masive, me të vetmin qëllim që kryerësit të fshehin gjenocidin. Tani për mbetjet e mbi 1.000 viktimave ende po zhvillohen hulumtime, ndërsa ndër to rreth 600 viktima janë gra dhe femra. Viktima më e vjetër është Shaha Izmirliq, 94-vjeçare, ndërsa viktima në moshë më të re është një foshnje e sapolindur, Fatima Muhiq, për të cilën kishte hetim mbi 18 vjet.”, - u shpreh Selma Rizvanoviq Mandal nga Trupi Koordinues për Gjenocidin në Srebrenicë.
 
Përkujtimi i këtij gjenocidi dërgoi mesazh të qartë se viktimat nuk janë vetëm dhe se e vërteta po del në pah. Këto krime nuk ishin vetëm shpërthim i thjeshtë spontan e urrejtjes, por ishin vrasje të planifikuara për të shfarosur një popull boshnjak nga vatrat e tyre. Udhëheqja e Serbisë dhe e Republikës Sërpska, e udhëhequr nga Vuçiqi dhe Milorad Dodiqi, vazhdojnë të veprojë në mënyrë të koordinuar për të mohuar gjenocidin, duke përdorur institucionet politike, mediatike dhe arsimore për të përhapur revizionizmin.”, - deklaroi drejtori i Institutit për Kërkimin e Krimit – Sarajevë, Muamer Xhananoviq.
 
Më 11 korrik 1995 serbët pushtuan Srebrenicën ku njëherësh ajo ishte e shpallur si zonë e sigurt dhe e mbrojtur nga OKB-ja. Ata ndanë të paktën 8.000 burra dhe djem boshnjakë, ndërsa gratë dhe fëmijët boshnjakë i dëbuan. Në qendrën Përkujtimore “Potoçari” tani bëhen përgatitjet për varrosjen e viktimave të sapo identifikuara.(Rexhep Qamil, TVM2)