Kuvendi i Kosovës, dështoi vazhdimi i 44-të i seancës konstituive
Ka dështuar për të 44-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës...

Ka dështuar për të 44-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka kërkuar sërish nga partitë opozitare që të propozojnë anëtarët për Komisionin për votim të fshehtë, por ata kanë kërkuar nga Dehari që të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas tyre, kryesuesi insiston të kalohet në votim të fshehtë pa dakordim paraprak.
“Ky komisioni për votim të fshehtë u bë pa dakordim të Kuvendit. Edhe presidentja e tha se është dashur të merret mendimi i Kuvendit, pra mocion. Po kërkojmë që të kthehemi në kushtetutshmëri, po nuk po ndodh.”, - deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Por, nga Vetëvendosje e pretendojnë të kundërtën. Sipas tyre, opozita nuk po e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Opozita e ka pasur një betejë politike kundër zonjës Albulena Haxhiu, por me një moment ata thanë se ne nuk ju besojmë juve, do ta çojmë ankesën tonë në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuan nëse votimi i fshehtë është antikushtetues. Gjykata tha vetëm referojuni aktgjykimit të vitit 2014 dhe aty e shihni se ju duhet të jeni prezent, të votoni pro, kundër ose të abstenoni dhe e keni mënyrën e fshehtë ose të hapur, dy forma për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.”, - theksoi Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Vazhdimi i 45-të i seancës konstituive nga ana e kryesuesit është caktuar për 11 korrik. (Gyltene Sinani, TVM2)
