Botë

Tramp: ShBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me armë

09.07.2025 14:39

I pakënaqur me sjelljen e presidentit rus Vlladimir Putin, presidenti amerikan Donald Tramp...

I pakënaqur me sjelljen e presidentit rus Vlladimir Putin, presidenti amerikan Donald Tramp ka ndryshuar qëndrim, do të dërgojë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën. Trampi tha se përpjekjet për bisedime me presidentin rus Putin janë të pakuptimta, pasi nuk po japin rezultate.
 
“Dëshirojmë të vendosim armatim mbrojtës, pasi Putini nuk sillet siç duhet me njerëzit, po vret shumë njerëz. Prandaj po dërgojmë armë për mbrojtjen e Ukrainës, unë e kam miratuar këtë. E dini, kjo është një luftë që kurrë nuk është dashur të ndodhte. Ka shumë viktima dhe duhet të përfundojë. Nëse dëshironi ta dini të vërtetën ai ishte i sjellshëm tërë kohën. Por, doli se gjithçka ishte e pakuptimtë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Zelenski mirëpret vendimin e Trampit, që raketat “Patriot” të arrijnë sa më parë në Ukrainë
 
Vendimi i Uashingtonit u mirëprit nga Kievi. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski urdhëroi intensifikimin e kontakteve me ShBA-në, që vendimi për dërgimin e raketave “Patriot” të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
 
“Tani kemi deklarata dhe vendime politike dhe duhet t’i zbatojmë sa më shpejt për të mbrojtur popullin dhe pozicionet tona. Kjo përfshin kryesisht mbrojtjen ajrore dhe elemente të tjera të furnizimeve nga ShBA-ja.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Por, Rusia ka kundërshtuar vendimin e Trampin, duke paralajmëruar zgjerimin e operacionit ushtarak. Menjëherë pas paralajmërimeve të Uashingtonit, Moska ndërmori një sulm masiv ndaj objektivave në Ukrainë. Më shumë se 700 dronë dhe dhjetëra raketa lundrimi u lëshuan drejt rajoneve perëndimore, në njërin prej sulmeve më të rënda që nga fillimi i luftës. Në Kiev u godit zona qendrore e qytetit, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi disa objektiva. Pas aktivizimit të sirenave për sulme ajrore pranë kufirit me Poloninë, aleatët e NATO-s ngritën avionët luftarakë për mbrojtje preventive.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI