Maqedoni

PE miratoi raportin për Maqedoninë, fshihen gjuha dhe identiteti maqedonas

09.07.2025 14:57

Me 461 vota “pro”, 121 “kundër” dhe 107 “abstenime”, Parlamenti Evropian miratoi Raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut...

Me 461 vota “pro”, 121 “kundër” dhe 107 “abstenime”, Parlamenti Evropian miratoi Raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut, të përgatitur nga raportuesi i posaçëm, eurodeputeti austriak Tomas Vajc. Në versionin përfundimtar të raportit u hoqën referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ky veprim konsiderohet si rezultat i negociatave dhe kompromisit mes partive të ndryshme evropiane. Votimi i sotëm erdhi pas debatit parlamentar të mbrëmshëm mbi Raportin e Vajcit, i cili u karakterizua nga retorika nacionaliste dhe fyese nga eurodeputetët bullgarë dhe grekë ndaj Maqedonisë. Raportuesi Vajc në fjalimin e tij tha se raporti jep një pamje të plotë se ku ndodhet Maqedonia dhe në të përshëndeten disa arritje, por kërkohen edhe reforma të cilat janë të rëndësishme për rrugën evropiane të vendit.
 
“Maqedonia, e tani Maqedonia e Veriut ishte udhëheqëse me Slloveninë, çka ndodhi me Maqedoninë e Veriut? Kishte shumë pengesa në rrugë, pengesa historike, si dhe pengesa të lidhura me luftërat në të kaluarën, pengesa të lidhura edhe me raportet dypalëshe. Ato duhet të ndërtohen nga të dyja palët. Prandaj, formalisht nuk janë filluar bisedimet për anëtarësim me BE-në. Vendi megjithatë i realizoi reformat e kërkuara, u afrua me NATO-n dhe tani kur është aktuale situata gjeopolitike, kur duhet të kujdesemi për unitetin, mendoj se është koha që ta përshpejtojmë integrimin e Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc.
 
Eurodeputetët bullgarë, të mbështetur edhe nga kolegë grekë, ushtruan presion për të ndryshuar formulimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ata insistonin që këto terma të hiqeshin nga dokumenti, duke pohuar se definicione të tilla nuk kanë vend në një raport për përparimin.
 
“Dua t’i drejtohem shoqërisë maqedonase. Mickoski po ju gënjen. Përfshirja e bullgarëve në të gjitha pjesët relevante të Kushtetutës dhe respektimi i Marrëveshjes me Bullgarinë të vitit 2017 dhe kornizës së negociatave nuk do ta dëmtojnë identitetin tuaj. Çdo vonesë në reformat për të nisur negociatat për anëtarësim do ta bëjë pikërisht këtë.”, - theksoi eurodeputeti nga Bullgaria, Ivajlo Valcev. 
 
Eurodeputetja greke, Afrodit Latinopuli, nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën” u vetëdeklarua si “maqedonase e vërtetë”, duke e quajtur “të rremë” popullsinë e Shkupit. Ajo mbështeti qëndrimet bullgare për identitetin dhe gjuhën maqedonase, duke thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në BE nuk do të ndodhë as në ëndërr.
 
“Unë jam maqedonase e bindur, e vërtetë, jo e rremë si ata në Shkup.”, - u shpreh eurodeputetja nga Greqia, Afrodit Latinupulu.
 
Reagoi eurodeputetja sllovene me prejardhje maqedonase, Irena Joveva, e cila iu drejtua me ton të ashpër deputetëve bullgarë në gjuhën maqedonase, duke u thënë se për ekzistencën e popullit, gjuhës dhe identitetit maqedonas nuk u nevojitet leja e tyre.
 
“Gjuha maqedonase është autentike, përpjekjet tuaja janë një trillim modern. Identiteti që ka mbijetuar shekuj nuk do të zhduket për shkak të një votimi apo lobimi tuaj. Për të ekzistuar, populli maqedonas nuk ka nevojë për lejen tuaj, por juve ju duhet sinqeritet, integritet dhe guxim për ta njohur atë, e di.”, - deklaroi eurodeputetja nga Sllovenia, Irena Joveva. 
 
Raporti rekomandon përshpejtim të negociatave për ndryshimet kushtetuese dhe reforma të fuqizuara në sundimin e ligjit, administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë. 
 
ARMEND MURSELI