Maqedoni

Negotinë, përurohet interkonektori i gazit me Greqinë

09.07.2025 15:23

Në qytetin e Negotinës u përurua fillimi i ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë....

Në qytetin e Negotinës u përurua fillimi i ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë. Ky projekt në vlerë prej 60 milionë eurosh do të vendosë Maqedoninë e Veriut pranë tregjeve energjetike evropiane e që do t’i mundësojë vendit diversifikim të burimeve energjetike. Drejtori ekzekutiv në “Nomagas”, Muhamet Elmazi, thotë se kjo ndërlidhje, vendit do t’i garantojë minimum 1.5 miliard kub gazë natyror në vit, maksimum 3 miliardë metër kub në vit.  
 
“Me ndërtimin e këtij interkonektuesi po e forcojmë sigurinë energjetike dhe e avancojmë procesin e diversifikimit të furnizimit me gaz natyror dhe krijojmë kushte për integrim rajonal në tregjet e gazit. Ky projekt parasheh 1.5 miliard klub metër në vit me mundësinë e rritjes deri në 3 miliardë metër kub.”, - deklaroi drejtori ekzekutiv në “Nomagas”, Muhamet Elmazi. 
 
ShBA-ja si prodhues më i madh i LNG-së, me këtë projekt dëshmon dhe partneritetin me RMV-në, tha ambasadorja amerikane, Ageler. Ambasadori BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, vlerëson se pavarësimi energjetik i Maqedonisë do të ndodhë nga burimet energjetike në tregjet evropiane. 
 
“Një zhvillim që zgjat 7 vite e që do të jetë fitore e të gjithë të pranishmeve dhe e pranuam këtë vizion regjional, që do të mundësojë pavarësim dhe furnizim të energjensave në rajon. Është i rëndësishëm diversifikimi energjetik dhe bashkëpunimi rajonal. Si prodhuesi më i madh në LNG, ShBA-ja dëshiron që gazi ynë të sillet nëpërmjet këtij interkonektuesi. Partneriteti me miqtë dhe fqinjët janë më të rëndësishme se manovrat politike.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler. 
 
“Është e qartë se kjo infrastrukturë kyçe do të përafrojë qëllimet e BE-së, siguri, qëndrueshmëri dhe konkurrencë. Këto janë qëllime të rëndësishme për vendet anëtare të BE-së dhe vendet që do të jenë në BE. Për krijimin e tregut rajonal energjetik, gjë që Maqedonia e ka të merituar vendin e saj. Nga masa për investim në Ballkanin Perëndimor kalon vlerën prej 12 milionë euro dhe gazi është opsion për të anuluar prodhimin me qymyr dhe burimeve të tjera.”, - u shpreh ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas. 
 
Ky projekt do të jetë shtysë për ekonominë dhe mundësi për infrastrukturë energjetike, që do të çojë drejt pavarësimit energjetik. Projekti do të kushtojë 60 milionë euro, theksuan drejtuesit e Qeverisë. 
 
“Do të ndërtojmë një gazsjellës prej 66.7 kilometrash në territorin maqedonas, me tuba me diametër prej 700 milimetrash. Kapaciteti fillestar prej 1.5 miliardë metrash kub gaz në vit mund të rritet në 3 miliardë. Është energji për rritje. Është lëndë djegëse për ekonominë. Është siguri për të ardhmen. Vlera totale e projektit është rreth 3.7 miliardë denarë ose 60 milionë euro. Me mbështetjen e këtij projekti nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Bashkimi Evropian, po tregojmë se mund të bëjmë shumë më tepër.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
“Interkonektori i gazit me Greqinë nuk është vetëm projekt infrastrukturor është mesazh i qartë i RMV-së se ku shkon, me kë lidhet dhe çfarë të ardhme po ndërton. Me disponueshmërinë e gazit natyror ne hapim derën për zëvendësimin e karburanteve ndotës ku përdoren akoma dru dhe mazut. Lidhja përmes interkonektori është pjesë e të njëjtit vizion që udhëheq realizimin e korridorit 8 vizion për Maqedoninë e Veriut modern të lidhur, të hapur e që nuk është pikë transiti, por pikë kyçe e stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Sipas kontratës së arritur, kompania ndërtuese nga Kumanova “Rapid Build” duhet që këtë projekt ta përfundojë deri në vitin 2027. Lidhja e gazit me Greqinë do t'i lejojë vendit të ketë burime të shumta të gazit natyror, pasi aktualisht e vetmja lidhje me gazin natyror është përmes Bullgarisë.
 
GAZMEND REXHEPI