Maqedoni

Disa zjarre aktive në RMV, zjarri këtë mëngjes kaploi deponinë në Vizbeg

09.07.2025 15:34

Moti i thatë, temperaturat e larta, por edhe pakujdesia dhe zjarrvënia e qëllimshme kanë qenë shkaktarë kryesorë të zjarreve të shumta...

Moti i thatë, temperaturat e larta, por edhe pakujdesia dhe zjarrvënia e qëllimshme kanë qenë shkaktarë kryesorë të zjarreve të shumta, përfshirë këtu edhe deponinë në Vizbeg. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë zjarrvënie të qëllimshme, sepse do të kenë dënime të larta. 
 
Nga zjarri në deponinë mes Vizbegut dhe komunës së Shutkës është vërejtur tym i zi i shkaktuar nga djegia e gomave. Nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, kanë bërë të ditur se në terren janë dërguar katër automjete, të cilat së bashku me dy automjete nga “Higjiena Komunale” janë angazhuar për shuarjen e zjarrit. Për shuarjen e zjarrit në deponinë mes Vizbegut dhe Shutkës po intervenohet edhe me avion. Tymi ka mbuluar Vizbegun dhe vendbanimet për rreth, thonë qytetarët, të cilët ankohen se zjarret në komunën e Çuçer Sandevës nuk kanë të ndalur prej 10 ditësh.
 
“Që 10 ditë e më tepër rasti i njëjtë. Ka zjarr te restoranti “New Star”, po digjet edhe kjo pjesa jonë këtu. Për çdo ditë kemi frikë nga zjarri. Kjo është bërë shumë problem, qoftë për shëndetin, për çdo gjë është bërë rrezik. Arsyet janë pak nga mbeturinat, edhe nga nxehtësia e madhe. Disa që mbledhin hekura e ndezin zjarrin për t’i mbledhur aluminat, bakrin e gjëra të këtilla dhe po shpërndahet zjarri.”, - tha një banor i Vizbegut.
 
Zjarri në komunën e Shuto Orizares ka qenë rrezik edhe për shtëpitë, bëri të ditur kryetari i komunës, Kurto Dudush.
 
“Komuna e Shuto Orizares me ekipet e saja doli në terren, provuam të ndihmojmë atje ku mundemi. Konstatuam se në rrezik ishin edhe shtëpitë prapa hekurishtes, nëpër ara dhe kashta e djegur, së bashku me mbeturinat u afrua deri afër shtëpive, por bëmë përpjekje së bashku me ekipet zjarrfikësve dhe tani për tani zjarri është lokalizuar, por ende vazhdon të ketë zjarr.”, - deklaroi kryetari i Shuto Orizares, Kurto Dudush.
 
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë bërë të ditur se zjarre aktive ka edhe në rajonin e Makedonski Brodit, në komunën e Çashkës dhe komunën e Dojranit. Për shkak të zjarreve të shumta, Qeveria ka shpallur të martën gjendje krize 30-ditore.
 
ABIBE QAILI