Maqedoni
Saiti dhe Mickoski: Bashkëpunimi Qeveri - Kryqi i Kuq duhet thelluar
10.07.2025 14:02
Qeveria dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë kanë bashkëpunim të mirë...

Qeveria dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë kanë bashkëpunim të mirë, në drejtim të përmirësimit të jetës në shtetin tonë, e sidomos në përballjen me katastrofa. Këtë e konstatuan sekretari të përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, dhe kryeministri, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së kryeministrit në Kryqin e Kuq, me rastin e 80-vjetorit të kësaj organizate. Ata njëherit paralajmëruan intensifikimin e bashkëpunimit.
“Falënderim i madh për atë që e bëri dhe po e bën Kryqi i Kuq për tragjedinë në Koçan. E pamë edhe raportin e revizorit për mjetet e grumbulluara, pjesa më e madhe e të cilave janë harxhuar, mbetet edhe një pjesë e vogël. Mund të them se kanë bërë me të vërtetë punë të madhe. Atëherë së bashku e filluam atë aktivitet, i orientuam të gjithë ata bamirës, të cilët dëshironin të ndihmonin, që mjetet t’i orientojnë në llogarinë e Kryqit të kuq.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
“Së shpejti na presin takime pune në kuadër të institucioneve tona, si dhe në kuadër të Qeverisë, ku do të dakordohen aktivitetet e përbashkëta të cilat janë të orientuara në drejtim të përmirësimit të jetës në vendin tonë, në drejtim të përmirësimit të shërbimeve ndaj kategorive të ndjeshme, me theks të veçantë përmirësimin e kapaciteteve dhe mundësive të sistemit tonë për përgjigje ndaj sfidave që në përditshmëri i quajmë katastrofa të shkaktuara nga njeriu ose natyra.”, - theksoi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Kryeministri Mickoski dhe sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, njëherësh konstatuan nevojën për ngritjen e bashkëpunimit në nivel më të lartë ndërmjet Qeverisë dhe Kryqit të Kuq, për çka kryeministri paralajmëroi edhe një takim në Qeveri, për të analizuar programet e ministrive, e sidomos të Ministrisë së Politikës Sociale dhe mundësitë e bashkëpunimit me Kryqin e Kuq.
ABIBE QAILI
