Maqedoni
Komuna e Tetovës dhe Parku Kombëtar “Mali Sharr” do të bashkëpunojnë për promovimin e turizmit malor
10.07.2025 14:18
Kasami dhe Elmazi thanë se memorandumi i nënshkruar ka për qëllim të promovojë turizmin malor...

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të parku kombëtar “Mali Sharr”, Evzal Elmazi, nënshkruan sot në ambientet e komunës një memorandum bashkëpunimi që synon forcimin e partneritetit ndërinstitucional. Kasami dhe Elmazi thanë se memorandumi i nënshkruar ka për qëllim të promovojë turizmin malor, mbrojtjen e mjedisit, si dhe përmirësimin e jetesës në fshatrat që gravitojnë në Parkun Nacional.
“Ka disa projekte në bazë të një projeksioni nga Drejtoria e Parkut, mund të nisin që menjëherë të realizohen, për të cilat kemi folur duke nisur nga promovimi i pikave turistike, siç është Kodra e Diellit, Maja e Titos, lokacioni në Leshnicë, fshatrat e Malësisë së Tetovës, të cilat dalëngadalë po promovohen me bujtina të ndryshme.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Bashkërisht do të kontribuojmë që të risim turizmin malor, do të përmirësojmë mirëqenien e popullatës lokale dhe do të krijojmë mundësi për afaristët, do të hapim vende të reja pune, të gjitha këto me hapa konkretë dhe vizion të qartë për t’i realizuar.”, - theksoi ud. Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.
Komuna e Tetovës bashkë me Parkun Kombëtar u dakorduan që përmes projekteve të përbashkëta dhe koordinimit të veprimeve, Mali Sharr të trajtohet jo vetëm si një thesar ekologjik, por edhe si një potencial ekonomik dhe se bashku do të nisin të pastrojnë deponitë e egra që krijohen gjithandej Parkut Kombëtar.
VISAR SADIKI
