Rajon
DASh: Hanrahan do të vizitojë Ballkanin
10.07.2025 14:41
Departamenti Amerikan i shtetit nis në Ballkan me zyrtarin e lartë, Brendan Hanrahan....

Departamenti Amerikan i shtetit nis në Ballkan me zyrtarin e lartë, Brendan Hanrahan. Ndihmës sekretarin e shtetit i angazhuar për Çështje Evropiane, Hanrahan, pas ndalesës në Prishtinë, pritet të vizitojë edhe dy vende tjera të Ballkanit, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon.”, ka thënë ai përmes një postimi në platformën X.
Osmani takoi zyrtarin Hanrahan, theksohet thellimi i partneritetit strategjik
Aktualisht nuk ka detaje të tjera për këtë vizitë, e cila mësohet një ditë pasi Hanrahan u takua në Uashington me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Me anë të një postimi në Facebook, Osmani theksoi se me diplomatin amerikan kanë diskutuar lidhur me thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në Departamentin e Shtetit në Uashington D.C. takova ndihmës sekretarin e shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, me të cilin ritheksuam përkushtimin tonë për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me ShBA-në në fusha kyçe, si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë. Qëndrojmë krah për krah me ShBA-në në vlera, në vizion dhe në veprim.”, theksoi presidentja Osmani.
Sa i përket vizitës në Bosnje e Hercegovinë, Hanrahan e ka përmendur Dejtonin - marrëveshjen që i ka dhënë fund luftës në Bosnje më 1995 dhe rëndësinë e 30-vjetorit të masakrës serbe të Srebrenicës.
GYLTENE SINANI
