Maqedoni
Liqeni i Ohrit e ruan statusin e trashëgimisë botërore, Mucunski: Statusi është ruajtur, por sfidat vazhdojnë
10.07.2025 14:57
Statusi i Liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore është ruajtur...

Statusi i Liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore është ruajtur, theksoi ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski. Ai vlerëson se ky është një hap i rëndësishëm, por vetëm fillimi i një angazhimi më të gjerë dhe afatgjatë.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se statusi i Liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore është ruajtur. Ky sukses është rezultat i një diplomacie aktive, të përkushtuar dhe të koordinuar, në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare. Së bashku dëshmuam se kur ekziston vullnet i qartë, koordinim dhe qasje e përgjegjshme, rezultatet janë të pashmangshme.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski.
Lutkov: Kemi një vit shtesë për të zbatuar masat korrigjuese
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, njoftoi se Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO s i ka dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë edhe një vit shtesë për të zbatuar masat korrigjuese të kërkuara.
“Kjo periudhë shtesë na siguron kornizën kohore të nevojshme për të realizuar aktivitetet që garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Vendimi i Komitetit do të shërbejë si nxitje dhe motivim për të vazhduar seriozisht me zbatimin e masave konkrete, të cilat do të mundësojnë zbatimin urgjent të masave korrigjuese të parashikuara, bazuar në rekomandimet e misioneve reaktive të viteve 2020 dhe 2024, si dhe në planin strategjik për rehabilitim.”, - theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Qeveria njoftoi angazhim maksimal në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe ekspertët vendas për ruajtjen e statusit të Ohrit dhe rajonit të Ohrit, duke e konsideruar këtë si një detyrim dhe përgjegjësi ndaj shtetit.
ARMEND MURSELI
