Botë

Ukrainë, sulme të reja ruse ndaj Kievit

10.07.2025 15:15

Për të dytën natë me radhë, Rusia ndërmori një sulm ajror masiv ndaj Ukrainës...

Për të dytën natë me radhë, Rusia ndërmori një sulm ajror masiv ndaj Ukrainës, duke goditur veçanërisht fort kryeqytetin Kiev. Sipas raportimeve, mijëra qytetarë u detyruan ta kalojnë natën në strehimore, ndërsa autoritetet ukrainase konfirmojnë se ka viktima dhe të plagosur. Qëllimi i këtyre sulmeve, sipas vlerësimeve të ushtrisë ukrainase, është të thyhet mbrojtja ajrore dhe të hapet rruga për një ofensivë të re në sektorë të frontit, ku trupat ukrainase kanë burime të kufizuara dhe janë nën presion të vazhdueshëm.
 
“Pothuajse një muaj e gjysmë nuk kam mundur të fle si duhet, sepse sulmet janë bërë shumë më të shpeshta dhe më të ashpra. Dronët e tanishëm nuk janë si ata të një viti më parë. E ndjejmë vërtet lodhjen.”, - tha një banore e Kievit. 
 
“Nuk mund të parashikoj çfarë do të ndodhë më pas. Është një tronditje e vërtetë. Tashmë kam vetëm një çantë, telefonin dhe një xhaketë dimri. Kjo është gjithë jeta ime tani.”, - tha një banore tjetër e Kievit. 
 
Pavarësisht urdhrit të përkohshëm të Pentagonit për pezullimin e disa dërgesave ushtarake, administrata e Trampit ka miratuar vazhdimin e furnizimeve me disa lloje armësh për Ukrainën. Vetë presidenti amerikan njoftoi se po shqyrton edhe kërkesën e Ukrainës për një sistem tjetër raketor “Patriot”. Zelenski, në konferencën për forcimin e Ukrainës në Romë, u takua me të dërguarin special të ShBA-së, Kellog, dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të ndihmës ushtarake.
 
“Ukraina kërkoi “Patriotin”. Do ta shqyrtoj këtë, por është shumë e shtrenjtë. Është për të ardhur keq që shpenzojmë kaq shumë për një luftë që kurrë nuk do të kishte ndodhur, nëse unë do të isha president. Është një luftë e tmerrshme. Shumë e trishtueshme.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë reagoi ashpër ndaj vendimit të ShBA-së për të dërguar më shumë armë në Ukrainë, duke theksuar se një veprim i tillë nuk kontribuon në një zgjidhje paqësore të konfliktit.
 
“Pasojat e këtyre vendimeve duhet ende të vlerësohen, por një gjë është e sigurt – vazhdimi i dërgimit të armëve në Ukrainë nuk do të ndihmojë aspak. Të themi më së buti, nuk do të sjellë zgjidhje paqësore, për të cilën, të paktën në dukje, thirret bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Perëndimin.”, - theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. 
 
Në të njëjtën kohë, Britania dhe Franca janë dakorduar të koordinojnë kapacitetet e tyre të mbrojtjes bërthamore përballë kërcënimeve ruse. Dy vendet po ashtu ranë dakord për blerjen e mëtejshme të raketave “Storm Shadow”. Ndërkohë, në shënimin e 70-vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në NATO, sekretari i ri i përgjithshëm i aleancës, Mark Rute, dhe kancelari gjerman, Fridrih Merz, theksuan rreziqet në rritje që përfaqësojnë Rusia dhe Kina për sigurinë globale. Për vendimin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje të NATO-s, shefi i aleancës thotë se është i domosdoshëm për t’u përballur me sfidat e sigurisë.
 
BELINDA KOKA ADEMI