Maqedoni

Raporti pa gjuhë dhe identitet maqedonas, Mickoski: Gjithçka, vetëm jo një vlerë evropiane

10.07.2025 15:34

Vendimi i PE-së për të miratuar raportin për progresin e RMV-në ka shkatuar reagime të forta politike në vend....

Vendimi i Parlamentit Evropian për të miratuar raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut pa referenca për “gjuhën dhe identitetin maqedonas” ka shkatuar reagime të forta politike në vend. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky është një sulm direkt ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase dhe se kjo tregon qartë se pranimi i propozimit francez në vitin 2022 ka qenë një gabim strategjik.
 
“Qytetarët e Maqedonisë e panë që marrëveshja e arritur në vitin 2022 apo pranimi i propozimit të atëhershëm, nuk paraqet vetëm ndryshim i preambulës dhe përfshierja e një pakice bullgare në të, por problemi është shumë më i thellë, e ai është mohimi i gjuhës dhe identitetit të njërit prej kombeve më të vogla të Evropës nga ana e Bullgarisë. Ky është një akt pa presedan. Është gjithçka, vetëm jo një vlerë evropiane.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: VMRO-ja premtonte, por dështoi në BE
 
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi Qeverinë dhe kryeministrin për dështimin në PE. Riaktualizimin e çështjes së identitetit dhe gjuhës e konsideroi si një hap prapa dhe të papranueshëm. 
 
"Pas marrjes së pushtetit, VMRO-DPMNE mori një situatë të pastër. E morën gjuhën maqedonase të garantuar në BE. Por premtuan dhe gënjyen se mund ta bënin më mirë, se mund të siguronin një marrëveshje më të mirë me Bullgarinë, se mund të siguronin një kornizë të re negociuese. Thoshin se kanë shumë partnerë që na kuptojnë dhe na mbështesin. Për fat të keq, asgjë nga këto nuk rezultoi e vërtetë.", - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
BDI: Alarm për drejtimin që ka marrë vendi
 
Për BDI-në, raporti i fundit i eurodeputetit Tomas Vajc në Parlamentin Evropian është një aktakuzë alarmante për drejtimin që ka marrë Maqedonia e Veriut nën qeverisjen e koalicionit.
 
“Sipas raportit, Maqedonia është bërë terren i lirë për propagandën ruse, ndikimin ekonomik të errët kinez dhe përçimin e këtyre ndikimeve përmes rrjeteve politike dhe mediatike të lidhura me “botën serbe”. Hungaria dhe Serbia luajnë rol ndërmjetësues, duke forcuar praninë autoritare dhe duke minuar kursin euroatlantik të vendit.”, theksojnë nga BDI.
 
Dimitrievski: Nuk duhet të shkelet identiteti
 
Kryetari i Lëvizjes “E Di”, Maksim Dimitrievski, e quajti ditën e djeshme “të dhimbshme dhe padrejtë”, duke shtuar se maqedonasit nuk mund të negociojnë për identitetin e tyre. 
 
“Nëse BE-ja lejon që një prej anëtarëve të saj, siç është Bullgaria, t’i shndërrojë negociatat në një mjet për revanshizëm historik, atëherë ajo lejon një union ku të dobëtit janë viktima.”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes “E Di”, Maksim Dimiitrievski. 
 
Rokas: Identiteti dhe gjuha nuk cenohen
 
Euroambasadori në vend, Mihalis Rokas, nga Ohri e ka vlerësuar pozitivisht Raportin e Parlamentit Evropian, ndërsa siguroi se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë pjesë e kornizës negociuese.
 
“Më me rëndësi është që të theksohet se identiteti dhe gjuha nuk janë pjesë e kornizave negociuese. Identiteti dhe gjuha mbrohen më mirë me anëtarësimin e plotfuqishëm në BE.”, - u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas. 
 
Parlamenti Evropian dje me 461 vota “për”, 121 “kundër” dhe 107 “të përmbajtur” miratoi Raportin e eurodeputetit austriak, Tomas Vajc, për vendin tonë për vitet 2023 dhe 2024.
 
ERSAN PAJAZITI