Maqedoni
Angellov: Gjatë ditës së djeshme kishte 63 zjarre aktive
10.07.2025 15:47
Pas një nate të vështirë në përballje me zjarret, gjendja është stabilizuar këtë mëngjes...

Pas një nate të vështirë në përballje me zjarret, gjendja është stabilizuar këtë mëngjes. Sipas Qendrës së Menaxhimit të Krizave, në territorin e vendit aktualisht janë 8 zjarre aktive. Drejtori i Qendrës për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, bën të ditur se në territorin e vendit gjatë ditës së djeshme ka pasur gjithsej 63 zjarre aktive. Ende vazhdon lufta me zjarrin në rajonin e Çuçer Sandevës dhe në disa lokacione tjera.
“Shumica e zjarreve janë shuar plotësisht, disa janë aktivë, por gjendja aktualisht nuk është kritike, sepse nga zjarret nuk ka pësuar ndonjë shtëpi, nuk ka dëme materiale apo në njerëz. Zjarrin të cilin duam ta vëmë nën kontroll sot është zjarri në Nikoliq, i cili përsëri u riaktivizua mëngjesin e sotëm. Atje po ndërhyn një helikopter i policisë. Zjarri tjetër, i cili na shqetëson, gjithashtu është ai në Çuçer Sandevë, territor i cili është i pakalueshëm dhe atje kemi nisur air-traktorë, sepse ka mundësi të mbushë ujë në aerodromin afër me fluturim të shkurtër dhe shpresojmë se së shpejti edhe këtë zjarr do ta vëmë nën kontroll dhe të vijmë deri tek shuarja e tij.”, - deklaroi Stojançe Angellov nga Qendra për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Klinika e Toksikologjisë, 18 persona kërkuan ndihmë si pasojë e zjarreve
Si pasojë e tymit të shkaktuar nga zjarret, 18 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën e Toksikologjisë.
“Brenda këtyre 3 ditëve, në ambulancën tonë janë vizituar 18 pacientë, të cilët kanë marrë pjesë në shuarjen e zjarreve, të cilët janë ankuar për disa vështirësi në shëndetin e tyre. Nga 18 pacientë, 6 i hospitalizuam, për shkak të problemeve më të theksuara, 4 prej tyre i kishim në obstervenim. 4 sot i lëshuam, sepse gjendja e tyre u përmirësua, 2 i mbajtëm sepse akoma jemi duke ua bërë edhe disa kontrolle për të parë pasqyrën reale të gjendjes së tyre, edhe gjendja e tyre shëndetësore nuk është e rëndë, është e përmirësuar dukshëm. Më duhet të theksoj se nga ata 6 të hospitalizuar, 5 ishin profesionistë, 2 zjarrfikës, 2 policë dhe 1 pjesëtar i ndihmës së shpejtë. Të tjerët që kanë ardhur dhe janë trajtuar në spitalin tonë ishin vullnetarë, të cilët vullnetarisht kanë marrë pjesë në shuarjen e zjarreve.”, - theksoi drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.
Autoritetet dyshojnë se disa nga zjarret në vend kanë qenë të qëllimshme, përfshirë edhe zjarrin e mbrëmshëm tek liqeni i Smilkovës, ku janë gjetur mes tjerash edhe 2 bidonë të mbushura me benzinë. Ky zjarr pas intervenimit është vënë nën kontroll.
FITORE DEMOLLI
