Maqedoni

Përballja me zjarret, Mickoski: Zjarret janë vënë nën kontroll

10.07.2025 16:58

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski është shprehur se vendi ka vënë në kontroll zjarret në vend...

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski është shprehur se vendi ka vënë në kontroll zjarret në vend, edhe përkundër temperaturave prej 40 gradë si dhe erës me shpejtësi prej 100 km/h. Automjetet nga ajri kanë hedhur 300 tonë ujë që zjarret të lokalizohen. Kryeministri thotë se ka indikacione se pjesë e zjarreve janë shkaktuar nga faktori njeri ndërkaq ka edhe të arrestuar.
 
“Kemi dëshmi, kemi persona të arrestuar të cilët e bënin këtë posaçërisht në territorin e Shkupit, pasiqë shpërthimi i zjarrit që ndodhi dje në afërsi të liqenit të Smillkovcit, ndodhi në mbrëmje pas orës nëntë dhe atë që gjetëm atje si dhe tre personat që u siguruan, tregon se ekzistojnë dyshime për aksion të koordinuar dhe mirëmenduar, posaçërisht në Shkup.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Spasovski: Shteti i paaftë kundër zjarreve
 
Nuk kanë munguar akuzat e socialdemokratëve. Ata thonë se shteti tregoi paaftësi në përballjen me zjarret, andaj kërkojnë rebalanc të buxhetit për këtë çështje si dhe koordinim në parlament.
 
“Mund të arrihet unitet, konsensus dhe kjo porosi e bashkëpunimit, të unitetit dhe konsensusit mund të dëshmohet në këto momente në të cilat nuk duhet të ketë këndvështrime ndryshe, ndasi politike, por përkundrazi ti tregojmë qytetarëve se jemi bashkë dhe solidarë.”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski. 
 
Sipas opozitës institucionet shtetërore nuk kanë marrë kurrfarë aktivitetesh që nga zjarret e vitit të kaluar, por kryeministri Mickoski dhe shërbimet anti zjarr janë shumë më të përgatitura, pasi pas riparimit janë vënë në përdorim shumë automjete.
 
MERALE ISMAILI