Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi për herë të 45-të seanca konstituive
11.07.2025 14:41
As përpjekja e 45-të nuk solli konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

As përpjekja e 45-të nuk solli konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi formimin e komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin, por ky propozim nuk po gjen përkrahjen e deputetëve të opozitës. Kjo shkaktoi përsëri akuza dhe kundërakuza mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës.
“Fatkeqësisht pas përpjekjes së 45-të për të përmbyllur seancën e nisur më 15 prill edhe sot ishim dëshmitarë të mospjesëmarrjes në votim, të një shkeljeje evidente kushtetuese, e cila po ndodh nga deputetët e deritashëm opozitar.”, - deklaroi Mimoza Kusari Lila nga LVV.
“Ne po e bëjmë punën tonë, po vijmë çdo ditë këtu. Po mundohemi politikisht t’i jaim kahje kësaj dhe fatkeqësisht i takon një partie jo të përgjegjshme për të marrë iniciativën për konstituim.”, - theksoi Jehona Lushaku nga LDK.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, moskonstituimin e Kuvendit e quan papërgjegjësi ndaj shtetit. Ai ka paralajmëruar për javën e ardhshme një takim me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Çdo ditë duhet ta meritojmë këtë që sot e kemi, e ta avancojmë më tutje shtetin, lirinë nëse ne sillemi kështu me shtetin, çka pritni të tjerët me u sjell me shtetin tonë.”, - u shpreh Fatmir Limaj nga Nisma.
Gjatë seancës së sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën një minutë heshtje me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit serb ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë.
GYLTENE SINANI
