Maqedoni
Të shtëna me armë në Batincë, është vrarë një ushtar i ARM-së
11.07.2025 15:00
Një person ka ndërruar jetë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Batincë....

Një person ka ndërruar jetë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Batincë. Siç bëhet e ditur, një burrë 49 vjeç me iniciale A.M, pjesëtar i Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, u soll në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit” të Shkupit me dy plagë në pjesën e gjoksit, pa shenja jete. Sipas njoftimeve nga spitali, viktima u sjell rreth orës 10:55. “Menjëherë u ndërmorën masa për reanimim, por pacienti ishte tashmë i vdekur. Vdekja u konstatua në vendin e ngjarjes.”, thanë nga spitali. Ngjarjen e konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot (11.07.2025) rreth orës 10:15, në Drejtorinë për Punë të Brendshme të Shkupit, personi me inicialet M.E. ka raportuar se në hyrje të fshatit Batincë, Shkup, personi me inicialet M.Ç. ka qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti “Kia”, që ishte në lëvizje. A.M. (49) ka marrë plagë në pjesën e gjoksit dhe është dërguar në Spitalin “Shën Naum i Ohrit”, ku rreth orës 11:00 mjekët konfirmuan vdekjen.”, thonë nga MPB.
Vdekjen e pjesëtarit të ushtrisë e ka konfirmuar edhe Ministria e Mbrojtjes.
“Informojmë publikun se personi me inicialet A.M. nga fshati Batincë pranë Shkupit, i cili humbi jetën nga plagët e shkaktuara në këtë ngjarje tragjike, ishte pjesëtar i Ushtrisë. Shprehim ngushëllime të thella familjes së të ndjerit. Gjatë ngjarjes tragjike, ai nuk ishte në detyrë ushtarake, por në ditë pushimi. Në vendngjarje janë paraqitur prokurori publik, organet e MPB-së dhe shërbimet e Policisë Ushtarake.”, thuhet në Ministrinë e Mbrojtjes.
Rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti ende nuk janë të qarta, ndërsa organet kompetente kanë nisur një hetim për zbardhjen e rastit. Policia ka kryer ekzaminim në vendngjarje dhe po punohet për identifikimin e autorit dhe hetimin e motiveve të shkrepjes së armës.
BELINDA KOKA ADEMI
