Maqedoni

Ashpërsohen marrëdhëniet Shkup – Sofje, Zheljaskov: Mickoski të kërkojë falje

11.07.2025 15:10

Sofja zyrtare me reagime të ashpra pas deklaratave “pezhorative” të kryeministrit Hristijan Mickoski...

Sofja zyrtare me reagime të ashpra pas deklaratave “pezhorative” të kryeministrit Hristijan Mickoski, drejtuar ministrit të Jashtëm bullgar Georgiev, i cili paraprakisht e kishte quajtur Mickoskin kryeministër maqedono-verior. Ministria e Jashtme bullgare në reagimin e saj është shprehur se deklaratat e Mickoskit janë të papërputhshme me normat minimale të dialogut diplomatik, si dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Ministria e Jashtme bullgare e indinjuar edhe nga thirrja në Ministrinë e Jashtme të ambasadorit të saj në Shkup. Ka reaguar edhe kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zheljaskov, i cili ka ftuar Mickoskin të kërkojë falje dhe të përmbushë detyrimet e marrëveshjes së vitit 2022.
 
“Narrativin dhe të shprehurit e kryeministrit Mickoski ia lëmë njohësve të Ezopit. Maqedonia e Veriut do të duhet t’i përmbahet konsensusit të vitit 2022 dhe të përmbushë obligimet e marra. Kolegu Mickoski duhet të gjejë mënyrë që të kërkojë falje, pasi kjo prish marrëdhëniet ndërfqinjësore, si dhe besimin, që në këto momente është tejet i brishtë. Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, të bazuar në përmbushjen e obligimeve të marrëveshjes së vitit 2022 dhe marrëveshjes së fqinjësisë së mirë.”, - deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zheljaskov.
 
Kovaçki: Bullgaria të tregojë respekt
 
As Shkupi nuk ka pushuar së reaguari. Partia e kryeministrit Mickoski drejtoi mesazhe se s’do të ndryshojnë qëndrim derisa në rikthim nuk marrin respektin bullgar.
 
“Fshirja e gjuhës dhe identitetit nga raporti i Parlamentit Evropian janë dëshmi se Bullgaria nuk e ka pasur çështjen tek vendosja e bullgarëve në Kushtetutë. Përkundrazi, ky është vetëm mjet për mohimin e plotë të shtetit. VMRO – DPMNE adreson porosi se nuk do të lëvizin asnjë milimetër pa u respektuar nga Bullgaria dhe garancia nga institucionet evropiane. Ky është keqpërdorim i BE-së nga ana e Bullgarisë dhe rrëmbim i procesit.”, - theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO – DPMNE.
 
Edhe kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe, është shprehur se deklarata e ministrit të Jashtëm të Bullgarisë nuk është në frymën e vlerave demokratike e as të civilizimit. Retorika e ashpërsuar Shkup – Sofje erdhi pas shlyerjes së gjuhës dhe identitetit maqedonas nga raporti i progresit të Parlamentit Evropian. Me gjithë reagimet, kryeministri Mickoski është shprehur se institucionet e vendit do të vazhdojnë përkushtimin në zbatimin e reformave drejt BE-së.
 
MERAL ISMAILI