Maqedoni
Vazhdon përballja me zjarret malore, DMSh: Katër zjarre aktive në vend
11.07.2025 15:32
Gjithsej 14 zjarre në ambiente të hapura janë evidentuar gjatë paradites së sotme, në territorin e vendit....

Gjithsej 14 zjarre në ambiente të hapura janë evidentuar gjatë paradites së sotme, në territorin e vendit. Sipas të dhënave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, katër prej këtyre zjarreve janë ende aktive. Një në komunën e Dojranit afër fshatit Nikoliç, ku është përfshirë një pyll me bimësi të ulët, një tjetër në komunën e Çashkës në Kumanovë, në vendin e quajtur Preovcë, ku po digjet vegjetacion i ulët, si dhe në fshatin Rugincë në komunën e Staro Nagoriçanes.
“Gjashtë zjarre janë vënë nën kontroll. Dy janë lokalizuar – në komunën e Prilepit, pranë fshatit Beshisht dhe në komunën e Shën Nikollës, pranë fshatit Delisinci, ku ishte përfshirë vegjetacion i ulët dhe një shtëpi e vjetër e braktisur. Gjatë orëve të fundit janë shuar plotësisht dy zjarre në Çuçer Sandevë pranë kishës “Shën Trinia” dhe në Makedonski Brod pranë fshatit Belicë.”, thonë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Vazhdon përballja me zjarret malore, QMK: Pjesa qendrore e vendit nën rrezik të lartë
Në bazë të hartës që tregon indeksin meteorologjik të rrezikut nga zjarret, Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se përveç pjesës qendrore, edhe pjesët tjera të shtetit janë në rrezik të lartë nga zjarret. Ndërkohë, rreziku më i ulët është vërejtur në zonat përreth Malit Sharr dhe disa rajone të tjera më pak të ekspozuara.
“Indeksi meteorologjik i rrezikut nga zjarri llogaritet mbi bazën e të dhënave nga stacionet automatike meteorologjike të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike dhe përfshin parametra si temperatura e ajrit, lagështia relative, shpejtësia dhe drejtimi i erës. Gjithsej dy pika të nxehta janë detektuar pranë fshatit Nikoliç, komuna Dojran. Shtabi Operativ i QMK-së ka konfirmuar paraqitjen e zjarreve në hapësira të hapura në këto lokacione.”, thonë nga QMK.
Duke shpërndarë hartën me pikat e nxehta, QMK sqaron se ato identifikohen automatikisht përmes sensorëve satelitorë dhe tregojnë për prani të mundshme të zjarreve aktive apo burimeve të nxehtësisë në vend.
ERSAN PAJAZITI
