Botë

Srebrenicë, shënohet 30-vjetori i gjenocidit serb

11.07.2025 15:46

Bota përkujton sot një nga ditët më të errëta të njerëzimit, gjenocidin e kryer nga forcat serbe kundër civilëve në Bosnje dhe Hercegovinë....

Bota përkujton sot një nga ditët më të errëta të njerëzimit, gjenocidin e kryer nga forcat serbe kundër civilëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Koha nuk e fshin tmerrin e korrikut të 1995-ës në Srebrenicë, qytetin boshnjak i cili këto ditë, 30 vjet pas masakrës më të keqe të civilëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, po përjeton përsëri dhimbjen dhe indinjatën për masakrat e kryera nga serbët e Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiqit. Familjarët u japin sot lamtumirën e fundit 7 viktimave të gjetura dhe identifikuara. 
 
“Qëndrojmë në tokën e shenjtë e larë me gjak, në qetësinë që dëgjohet më shumë se çdo fjalë. E mbushur me dhimbje, por edhe me krenari që të vërtetën nuk arriti ta fundosë askush.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Organizativ, Hamdia Fejziq.
 
“Nderime për viktimat dhe dënojmë çdo fajtor, si Karagjiqin, Mlladiqin dhe shumë të tjerë. Këta njerëz të këqij e keqpërdorën fuqinë e tyre. Aksionet e tyre sollën vuajtje, jo vetëm për viktimat, por еdhe tek të gjitha komunitetet, përfshirë edhe të tyren. Ata u përballën me tribunalin e Hagës dhe viktimat dëshmuan pa frikë për krimet e tyre.”, - deklaroi prokurori kryesor i tribunalit të Hagës, Serzh Vramerc.
 
“Fati i panjohur i më shumë se 7 mijë viktimave në të gjithë shtetin dhe i një mijë në këtë zonë qëndron njollë në ndërgjegjen e njerëzimit.”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i Bosnje e Hercegovinës, Kristijan Shmit.
 
“Srebrenica është plagë e thellë e gjithë Evropës. Srebrenica ndodhi në periudhën e jetës sime, afër nesh, në shtetin ku u linda, por në shtetin ku nuk ekziston më. Kjo na dëshmon se njerëzit janë të aftë ta bëjnë gjënë më të rëndë dhe se urrejtja dhe johumanizmi mund të na sjellin deri tek krimet e rënda.”, - u shpreh eurokomisionarja për Zgjerim, Marta Kos.
 
Ceremonisë përkujtimore presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan iu drejtua me një video-mesazh.
 
“Të nderuar qytetarë të Bosnje e Hercegovinës, të nderuar familje të dëshmorëve, të dashur vëllezër dhe motra. Me gjithë zemër, me gjithë respekt dhe ndjenja, ju përshëndes. Në këtë ditë të dhimbshme për ju shpreh ngushëllimet e mia në emër të 86 vëllezërve dhe motrave tuaja në Turqi. Të gjithë dëshmorëve uroj që Zoti t’ua shpërblejë sakrificën duke iu shpërblyer me xhenet. Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, ai do të mbetet i gdhendur njollë e zezë në historinë e njerëzimit.”, - deklaroi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
 
Duke folur për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gazë, Erdogan tha se dekada më parë bashkësia ndërkombëtare ka heshtur për Srebrenicën, dhe tani në vitet e fundit ajo është thjesht një spektator i shtypjes që po ndodh në Palestinë. Erdogani u zotua se qeveria izraelite do të mbahet përgjegjëse "herët a vonë" para ligjit dhe historisë për gjenocidin e saj ndaj gati 58.000 palestinezëve.
 
FITORE DEMOLLI