Maqedoni

Ribalancimi i buxhetit në komision, refuzohen amendamentet e Frontit Evropian

11.07.2025 16:23

Debati për ribalancin e Buxhetit ka vazhduar në Kuvend...

Debati për ribalancin e Buxhetit ka vazhduar në Kuvend. Edhe pse një numër i amendamenteve janë tërhequr nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe VLEN-it, që gjithsej ishin 200, kanë mbetur edhe 30 amendamente për t’u diskutuar. Fronti Evropian në njërin prej amendamenteve propozoi të sigurohen mjete për ndërtimin e teleferikut, Tetovë - Kodra e Diellit me vlerë prej 10 milionë euro.
 
“Ky projekt parasheh ndërtimin e një teleferiku që lidh qytetin e Tetovës me Kodrën e Diellit. Ky është një projekt me rëndësi të veçantë strategjik për komunën e Tetovës, për zhvillimin e turizmit malor në rajon. Ndërtimi i këtij teleferiku do të shkarkojë ndjeshëm qarkullimin rrugor gjatë sezonit dimëror, sidomos gjatë sezonit të skijimit.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Dijana Toska.
 
Ky amendament nuk u pranua nga ana e zëvendësministrit të Financave, Nikolçe Jankullovski.
 
“Qeveria ka ndarë mjete për komunat dhe projektet përkatëse për të cilat ata kanë aplikuar. Amendamenti nuk pranohet.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulovski.
 
Ndërkohë ky propozim nuk gjeti mbështetje edhe gjatë votimit, 8 ishin “kundër”, ndërsa vetëm 4 “për”.  Edhe shumë amendamente të propozuara nga Fronti Evropian nuk u pranuan, si për përfundimin e ndërtimit të stadiumit të Tetovës, me vlerë prej 4 milionë euro, i cili u hodh poshtë nga zëvendësministri. Po ashtu, nuk u miratua as amendamenti për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Radushë të komunës së Sarajit. Nuk u aprovua as amendamenti për rikonstruksionin e rrugës në Matkë të Poshtme në komunën e Sarajit, për përpunimin e projektit për rikonstruksionin e rrugës për këmbësorë në fshatin Mateç të komunës së Likovës, e të tjera.
 
“Kërkoj që ky projekt të hyjë në buxhetin e vitit 2025, pasi kemi informacione të sakta se komuna e Likovës e ka të kompletuar dokumentacionin teknik të nevojshëm dhe nëse ky amendament pranohet, realizimi është i sigurt. Me realizimin e këtij projekti do të lehtësohet edhe lëvizja e banorëve të këtij fshati.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri.
 
Zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski u përgjigj shkurt.
 
“Amendamenti nuk pranohet!”, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Nga ana tjetër, deputetja e koalicionit VLEN, Imërlije Saliu Fetai, propozoi një amendament për personat me aftësi të kufizuara dhe ky amendament u pranua. 
 
“Ky amendament ka për qëllim të sigurojë 50 milionë denarë shtesë në buxhetin e vitit 2025 për pagesën e shtesave të veçanta dhe të drejtën për kompensim me aftësi të kufizuara.”, - theksoi deputetja e VLEN-it, IMërlije Saliu Fetai.
 
Amendamente kanë dorëzuar edhe nga partia E Majta. Debati mbi amendamentet në Komisionin për Financim dhe Buxhet vazhdon. 
 
ARMEND MURSELI