Maqedoni

Sulmin ndaj Arsovskës, e dënojnë Komuna e Çairit dhe partitë politike

11.07.2025 20:05

Komuna e Çairit dënon ashpër incidentin e ndodhur së fundmi mes Kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska...

Komuna e Çairit dënon ashpër incidentin e ndodhur së fundmi mes Kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe disa individëve në territorin e kësaj komune. Akte të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje serioze të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.
 
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti. Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor.”, thonë nga Komuna e Çairit.
 
Ndërsa në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim thuhet:
 
“Aktet e dhunës, sulmet verbale përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor. Pavarësisht përkatësisë politike apo pozitës institucionale, asnjë zyrtar nuk duhet të jetë objekt i linçimit publik apo agresionit fizik dhe verbal. BDI u bën thirrje organeve kompetente që të reagojnë menjëherë, të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët, në përputhje me ligjin.”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
LSDM e ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj kryetares së qytetit të Shkupit Danella Arsovska dhe zyrtarët komunal, ndërsa ka bërë fajtorë pushtetin për mos mbrojtjen e zyrtarëve apo edhe qytetarëve nga krimi.  
 
“Ky sulm brutal është pasojë e frikës dhe mos respektimit të ligjit që po e krijon kjo qeveri. Ky sulm zbulon edhe një dëshmi se kur flitet për kriminalitet, kur flitet për keqpërodrim institucionet nuk ju mbrojnë po ju lënë në mëshirën e dhunuesve. Me javë të tëra qytetarët shihin se si zbulohen skandale, ndërtime pa leje, kyçje, keqpërdorime milionëshe, por në vend që hetimet të përfundojnë me pastrimin e krimit, përfunduan me kërcënim, Në vend që institucionet ti dënojnë kriminelët ata heshtën.”, deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Edhe Grupi i Këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në qytetin e shkupit ka dalur me reagim pas sulmit ndaj Arsovskës. Ata dënojnë çfarëdo lloj dhune, presioni dhe kanosje. 
 
“Çfarëdo sjellje e tillë është e pa pranueshme nga truri i shëndoshë. Njëherit kërkojmë nga institucionet ta zbardhin rastin, deri në mësimin e të vërtetës dhe konstatimin e fakteve lidhur me rastin që e shqetësoi opinionin.”, theksojnë këshilltarët e VMRO-së. 
 
Në lidhje me sulmin fizik ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, ka reaguar dhe Komiteti i Helsinkit. Ata kërkojnë hetim të shpejtë, të pavarur dhe padi ndaj të dyshuarve.
 
“Veçanërisht, shqetësues është fakti që sulmi ka ndodhur para syve të punonjësve policor, të cilët, sipas deklaratës së kryetares, nuk kanë marrë masat e duhura për mbrojtjen e saj, edhe përkundër kërcënimeve serioze për jetën e saj dhe sigurinë e familjes së saj.”, deklaruan nga Komiteti, duke kërkuar përgjegjësi për policët.
 
FITIM KRYEZIU