Maqedoni
QMK: 38 zjarre të evidentuara në 24 orët e fundit, 3 ende aktive
12.07.2025 11:40
Në 24 orët t fundit janë regjistruar gjithsej 38 zjarre në hapësira të hapura në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 38 zjarre në hapësira të hapura në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave zyrtare, 3 zjarre janë ende aktive, 5 janë vënë nën kontroll, ndërsa 30 janë plotësisht të shuara falë ndërhyrjeve të ekipeve në terren.
Zjarret aktive janë të përqendruara në fshatin Nikoliç në komunën e Dojranit, fshatin Xhidimirci në komunën e Velesit dhe hapësirën ndërmjet fshatrave Çreshnevo, Krapa dhe Lokvicë në komunën e Makedonski Brod.
Ndërkohë, zjarret janë vendosur nën kontroll në fshatin Slatinë (Makedonski Brod), fshatin Bllacë (Çuçer Sandevë), dy deponi në komunën e Dolnenit si dhe zonën e Sllatinski Izvori.
Zjarret e shuara janë regjistruar në disa komuna, përfshirë Shkupin, Manastirin, Prilepin, Resnjën, Demir Hisarin, Strumicën, Radovishin, Kumanovën, Kriva Pallankën, dhe të tjera. Zjarret kanë përfshirë kryesisht vegjetacion të ulët, pyje, deponi dhe mbeturina.
QMK apelon për vigjilencë maksimale të qytetarëve, shmangie të ndezjes së zjarreve në natyrë dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar, për të parandaluar përhapjen e mëtejme.
