Maqedoni
Kumanovë, Qeveria prezanton planin operativ për punësim 2025
12.07.2025 13:37
Karvani i Qeverisë së RMV-së ka prezantuar para kumanovarëve Planin Operativ për Punësim 2025...

Karvani i Qeverisë së RMV-së, në përbërje të Zëdhënëses së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Latifi Azizi, bashkë me Zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë Arben Fetai, Ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi, si dhe Nderim Jashari nga Qendra për punësim në Kumanovë, prezantuan para kumanovarëve Planin Operativ për Punësim 2025, një program ky, ambicioz me vlerë 40 milionë euro, shumë vende të reja punë e zhvillim ekonomik e social.
“Plani operativ për punësim 2025 me një buxhet prej 40 milion Euro meqë është 7.5 milion Euro më shumë se kurdo herë ndonjëherë në historinë e RMV, nuk është vetëm një investim në ekonomi por është investim në dinjitet, drejtësi sociale dhe zhvillim të barabartë, kështu që Kumanovën po e vendosim në qendër të projeksioneve të zhvillimit ekonomik e social.”, theksoi Venera Azizi Latifi.
“Interesimi është i jashtëzakonshëm sepse papunësia është një nga problemet tona kryesore veçanërisht tek të rinjtë, unë pranoj ndoshta dhjetëra thirrje çdo ditë të qytetarëve tanë të cilët shprehin interesim të jashtëzakonshëm për të aplikuar dhe përfituar nga kjo skemë për punësim dhe vetë punësim.”, shtoi Fetai.
“Deri më tani për 3 masat që tanimë kanë përfunduar dhe vetë se është duke u bërë selektimi kemi informata se kanë aplikuar mbi 6 mijë qytetarë që tregon se është një interesim tepër i madh. Masat tjera vijojnë, kemi masa për praktikantë si dhe kemi masa të tjera që do të hapen deri sat të përfundon plani operativ.”, theksoi mes tjerash, Durmishi.
“Në masën aktive të vetë punësimit në qendrën e punësimit për Kumanovë, Likovë dhe Nagorc i Vjetër, kanë aplikuar 416 persona, ku 170 janë për ndërmarrje të përbashkët “SHPK”, 92 persona janë mbi moshën 29 vjeçare dhe 155 persona janë nën moshën 29 vjeçare. Masa tjetër që ishte financimi për firmat e vogla dhe të mesme ku në Kumanovë këtë vit aplikuan diku rreth 81 firma për të punësuar.”, u shpreh Jashari.
Ndryshe, ky aktivitet ditë më parë u shpalos në Strugë, e Pollog e që i njëjti do të vazhdojë të prezantohet edhe në komunat e tjera të vendit.
FATLUM AQIFI
