Maqedoni

Zjarret në vend, aktive 3 zjarre, 5 nën kontrollë

12.07.2025 14:39

Maqedonia është ende nën kërcënimin e zjarreve...

Maqedonia është ende nën kërcënimin e zjarreve. Në Dojran ka zjarre aktive, në Veles dhe Makedonski Brod, dhe pesë zjarre janë nën kontroll, përfshirë ato në zonën e kryeqytetit. Nga zjarret aktive, fokusi është në zjarrin në Dojran pranë fshatit Nikoliq, informon drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojance Angelov.
 
“Gjatë ditës së djeshme kishim gjithsejtë 38 zjarre në hapësirë të hapur, 3 prej tyre janë aktiv në mëngjes, 5 janë nën kontroll të plotë përderisa zjarret e tjera janë shuar, falë intervenimit të shpejtë dhe të guximshëm të zjarrfikësve lokal. Aktualisht aktivë janë zjarret në fshatin Nikuliq të Dojranit, në fshatin krapa të Makedonski Brod, si dhe zjarri në Komunën e Velesit në Xhidimirci. Fokusi ynë në mëngjes ishte në fshatin Nikuliq që është disa dit zjarri aktiv dhe është në teren vështirë të qasshëm e në disa vende edhe krejt i paarritshëm dhe sot vepruam me më shumë resurse.”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojance Angelov.
 
Kryeministri pohoi se ka indikacione dhe dyshime të bazuara për aktivitete të organizuara qëllimisht. 
 
“Kemi informacione se dyshime që kjo që po ndodh në Shkup para disa ditëve është aksion i organizuar. Kemi persona në paraburgim. U kemi marrë telefonat dhe ua lëmë organeve kompetente që të kryejnë punën e tyre por nëse vërtetohet këto dyshime dhe personat e caktuar do të jenë në problem serioz.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Prokuroria Publike, nga ana tjetër, informon se dyshimet për një krim të mundshëm dhe rrezikim të mjedisit me materiale mbeturinash po hetohen në lidhje me zjarrin në deponinë në Vizbeg.
 
"Është marrë i gjithë dokumentacioni që lidhet me menaxhimin e mbeturinave dhe janë dhënë udhëzime për të kryer intervista me individë për të përcaktuar saktësisht se çfarë lloj mbeturinash janë ruajtur në vend dhe nëse janë respektuar rregulloret ligjore dhe lejet e punës.", kumtuan nga Prokuroria Publike. 
 
Autoritetet kanë ndaluar lëvizjen në pyje, përveç personave që kanë marrë leje me qëllim parandalimin e zjarreve. Qytetarëve u bëhet vazhdimisht apel që të mos hedhin bishta cigaresh dhe të mos ndezin zjarre. Zjarret e shuar kanë të bëjnë me disa vende me bimësi të ulët, mbeturina, deponi të një familjeje, ndërsa ndërhyrje u kryen edhe në vendbanime, rrugë dhe ndërtesa në disa vendbanime.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI