Maqedoni
Zgjedhjet lokale, Selmani: Partitë shpresat tek individë
12.07.2025 15:18
Beteja agresive në zgjedhjet lokale bën që partitë të vonohen me nominimet e kandidatëve për kryetar komunash....

Beteja agresive në zgjedhjet lokale bën që partitë të vonohen me nominimet e kandidatëve për kryetar komunash. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se partitë politike kanë shpresat te individi për të marrë më shumë vota. Selmani druan se partitë politike shqiptare, kryesisht do të dalin me emra të vjetër duke mos lëshuar terrenin komunal energjisë dhe kapaciteteve të reja.
“Subjektet kanë bindje dhe shpresa për të përfituar nga zgjedhjet pikërisht në emër të emrave të kryetarëve të komunave dhe mendoj se kjo është një nga shkaqet edhe për vonesat e përzgjedhjes ose emërimit të kandidatëve të mundshëm për kryetar. Shpresat janë tek individi për të marrë më shumë vota. Gjithmonë subjektet politike shqiptare nuk largohen nga të njëjtat figura politike, nuk I japin kreativitet dhe mundësi figurave të reja ose njerëzve të ri dhe nuk japin mundësi që të respektohet ose shikohet interesi I individëve për të udhëhequr komunat në mënyrën më të mirë të mundshme.”, u shpreh për TVM2 profesori universitar Bashkim Selmani.
Koalicionimet e partive shqiptare, Selmani kritikon mungesën e bashkëpunimit
Selmani kritikon mungesën e koalicioneve të të gjitha partive shqiptare në interes të qytetarit shqiptar. Sipas tij fokusi është vënë në veprimet e VMRO-së.
“Fatkeqësisht siç duket kësaj radhe të gjitha subjektet më shumë janë të koncentruara dhe matin veprimet e VMRO-së dhe cilin subjekt partitë politike shqiptare do ta përkrahin. Dëmi është më I madh që nuk arritën të krijojnë një mekanizëm demokratik, të koncentrohen te interesat e votuesve sepse shpesh herë ka ndodhur që të gjitha këto subjekte kanë marrë vota nga qytetarët shqiptarë për të udhëhequr me komunat dhe nga ana tjetër asnjëherë nuk kanë kërkuar të falin për asnjë pretendim të cilin nuk I kanë plotësuar premtimet që I’a japin elektoratit.”, u shpreh Selmani.
Partitë politike shqiptare ende janë duke kalkuluar emrat. Koalicioni VLEN në Strugë ka deklaruar mbështetjen e kandidatit të pavarur Mendi Qyra. Nuk kanë përjashtuar mundësinë që edhe në Kërçovë të mbështesin kandidat apartiak. Ndërkaq në Çair, pritet kandidimi eventual i zëvendës kryeministrit të parë Izet Mexhiti, nëse opozita kandidon Bujar Osmanin. Por nga Fronti Evropian ende nuk kanë dhënë emra konkret. Arben Taravari ka konfirmuar kandidaturën e Valbon Limanit në Gostivar. Blloku maqedonas VMRO – DPMNE dhe LSDM kanë publikuar 70 emra. Zgjedhjet lokale sipas kryeministrit Mickoski do të mbahen më 19 tetor.
MERALE ISMAILI
