Botë

Kosovë, Kurti pret në takim zyrtarin e lartë të DASH-it

12.07.2025 16:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet në Prishtinë me Brendan Hanrahan..

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
 
“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati”, ka thënë Kryeziu.
 
Ndihmës sekretari i Shtetit Hanrahan, para mbërritjes në Kosovë, ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.
 
Vuçiq ka theksuar se në takim ka ripërsëritur qëndrimin e Serbisë për dialog si mënyrë të vetme për zgjidhjen e çështjeve me Kosovën dhe ka potencuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
 
Presidentja Vjosa Osmani kishte zhvilluar takim me Hanrahanin para tre ditësh në Uashington.