Maqedoni
Shpërthimi i zjarreve, VMRO: Aksion i organizuar me prapavijë politike
13.07.2025 13:56
VMRO-DPMNE lidh shpërthimin e zjarreve me prapaskena politike të opozitës

VMRO-DPMNE lidh shpërthimin e zjarreve me prapaskena politike të opozitës, duke nxjerr në pah detaje të policisë se në vendngjarje janë gjetur prova të personave të cilët qëllimshëm kanë ndezur zjarret përreth Shkupit. Deputeti Brane Petrushevski thotë se në disa vende janë gjetur drunj me benzinë, gomë dhe doreza. Personat e arrestuar, sipas tij, kanë lidhje me funksionarë të opozitës e të cilët synuar të trazojnë kryeqytetin.
“A kishin për qëllim të shkaktojnë kaos në Shkup, dhe për këtë menjëherë pas shpërthimit të zjarreve u kyç LSDM dhe njerëz të afërt të partisë me komunikata dhe komente? A u nis opozita në një aksion të organizuar për të shfrytëzuar zjarret për narrative politik?”, deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
BDI: Për akuzat, do të përgjigjemi me padi
Opozita shfajëson veten nga pretendimet e pushtetit. BDI paralajmëron padi ndaj akuzave të bëra duke i cilësuar si shpifje dhe logjikë diskriminuese.
“Këtë herë, vijat e kuqe janë kaluar edhe atë me instrumentalizim të policisë, mediave si dhe kanaleve diplomatike në rrjetën e shpifjeve, për të legjitimuar gënjeshtra të fabrikimit politik. Kjo është e rrezikshme për sigurinë dhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit. BDI do të përballet institucionalisht dhe penalisht me çdo shpifës, me deklaratat e tyre publike që mendon se mund të shpëtojë dështimet e qeverisë përmes fajësimit të shqiptarëve.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
LSDM: Pushteti përpiqet të fsheh paaftësitë
Edhe nga LSDM thonë se qeveria për të fshehur paaftësinë e tyre fajëson ata me absurditete.
“Më të përfshira nga zjarret janë komunat e drejtuara nga LSDM, dhe çfarë të themi tani se zjarret janë vënë nga njerëz të pushtetit!! VMRO – DPMNE nuk është e vetëdijshme se kanë hyrë në humbje të dyfishtë, gjegjësisht treguan paaftësi të dyfishtë, jo vetëm në menaxhimin me zjarret por edhe me shërbimet e sigurisë, pasiqë nuk kanë marrë në kohë informacione se bëhet fjalë për zjarre të qëllimshme.”, u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Socialdemokratët ftojnë VMRO- DPMNE-në që të mbështesë amendamentin e tyre të dorëzuar në kuvend për përmirësimin e sistemit për përballje me zjarret dhe të ndërpresë akuzat.
MERALE ISMAILI
