Maqedoni
Vera 2025, bregdeti shqiptar, destinacioni i preferuar
13.07.2025 15:13
Qytetarët tashmë kanë filluar të rezervojnë pushimet e tyre drejt destinacioneve më të preferuara turistike...

Ndërsa temperaturat ngrihen dhe vera e vitit 2025 hyn në kulmin e saj, qytetarët tashmë kanë filluar të rezervojnë pushimet e tyre drejt destinacioneve më të preferuara turistike. Këtë vit, një kombinim i ofertave atraktive, sigurisë dhe bukurive natyrore po e bëjnë zgjedhjen edhe më interesante.
Top destinacionet për këtë sezon janë Shqipëria, Greqia dhe Turqia, të cilat ofrojnë përvoja të ndryshme – që nga bregdeti i virgjër i jugut shqiptar e deri te resortet luksoze në Antalia shprehet operatori turistik Veton Grubi.
“Turqia tradicionalisht është numër një në Maqedoni, duke pasur parasyhë organizimet që i bëjmë me operatorët turistik në Maqedoni me fluturime dhe me të tjera, mirë po si numër që vizitohet më tepër nga shtetasit tonë është Greqia edhe Shqipëria. Zakonisht njerëzi tanë Shqipërinë apo Greqinë e shfrytëzojnë për pushime më të shkurtra dy, tre apo katër ditore, mirë po atë pushimin kryesor që bëjnë në këto venet pak ma të largëta.”, u shpreh operatori turistik Veton Grubi.
Nga të anketuarit kuptuam që edhe vendi ynë është zgjedhja e shumë turistëve nga vendet e ndryshme të Evropës dhe më gjerë!
“Unë e preferoj Shkupin, por për pushime është Ohri, Struga, Matka, Çarshia e vjetër dhe Kalaja janë të mrekullueshme!”, u shpreh një turist.
“Ne kemi ardhur në Shkup për pushime është shumë bukur dhe më lirë, më pëlqen lumi Vardar dhe vizitojmë qendrat tregtare me familjarët për të bërë shopping. Ne do të vazhdojmë në Ohër pushimet, pastaj në Bosnje dhe të gjithë Ballkanin!”, tha një turist.
“Ne jemi nga Polonia dhe sapo kemi ardhur në Shkup për pushimet tona dhe deri më tani na pëlqen shumë. Ky është udhëtimi jonë i parë më i gjatë dhe vendosëm ta vizitojmë Ballkanin dhe do të vazhdojmë nga këtu në Greqi, ne preferojmë më shumë malet ndërsa plazhet i frekuentojmë 2 deri 3 ditë.”, u shpreh një turist.
Sezoni i verës mbetet periudha më e preferuar për të udhëtuar, për të pushuar dhe për të krijuar kujtime të reja. Pavarësisht zgjedhjes së destinacionit, ajo që mbetet më e rëndësishme është përjetimi personal dhe mundësia për t’u shkëputur nga përditshmëria. Dhe këtë verë, duket se shumë qytetarë janë të vendosur ta shfrytëzojnë deri në maksimum.
VALBONA FAZLIU
