Maqedoni
Zjarret dhe reagimi në terren, duhen më shumë zjarrfikës
13.07.2025 15:31
Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit kanë rritur rrezikun e zjarreve në zona të hapura...

Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit kanë rritur rrezikun e zjarreve në zona të hapura, pyje dhe sipërfaqe të pambrojtura. Në këtë periudhë të ndjeshme, autoritetet qendrore dhe komunale janë vënë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme, ndërsa përfshirja e vullnetarëve ka qenë thelbësore në disa raste. Në fokus të interesimit publik ka qenë edhe Komuna e Çairit, për të cilën u drejtua pyetja nëse është përfshirë në procesin e punësimeve të paralajmëruara për zjarrfikës të rinj, si dhe si është menaxhuar situata në terren.
Por sipas zëdhënësit të Komunës së Çairit, Fari Iseni, Komuna nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta mbi Ndërmarrjen e Zjarrfikësve, pasi ajo është në kuadër të Qytetit të Shkupit. Si rrjedhojë, komuna nuk ka ndikim në procesin e punësimeve të reja – të cilat realizohen sipas kritereve të shpallura nga vetë institucionet kompetente. Megjithatë, ai theksoi se në kuadër të Komunës së Çairit vepron Shoqata e Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari”.
“Ju informojmë se Komuna e Çairit nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta mbi Ndërmarrjen e Zjarrfikësve, pasi ajo është në kuadër të Qytetit të Shkupit. Si rrjedhojë, Komuna nuk ka ndikim në procesin e punësimeve të reja, ato realizohen sipas kritereve të përcaktuara në vetë shpalljet zyrtare. Megjithatë, në kuadër të Komunës sonë vepron shoqata e zjarrfikësve vullnetarë “Bajram Miftari”, të cilët mbështeten nga Komuna dhe janë aktivë në terren sa herë që ka nevojë, pavarësisht lokacionit të zjarrit.”, u shpreh zëdhënësi i Komunës së Çairit, Fari Iseni.
Për të kuptuar më shumë rreth kapaciteteve në terren dhe sfidave me të cilat përballen njësitë operacionale, morëm një deklaratë edhe nga Shoqata e Zjarrfikësve të Maqedonisë së Veriut, Artan Demiri.
Ndonëse shumica e vatrave janë vënë nën kontroll, kjo valë e hershme zjarresh tregoi qartë nevojën për përforcim të kapaciteteve. Sfida më e madhe mbetet mungesa e stafit. Prandaj, paralajmërimi për punësimin e 200 deri në 400 zjarrfikës të rinj është një hap i domosdoshëm dhe i shumëpritur.
Nga Shoqata u theksua gjithashtu se në disa raste në terren janë përfshirë edhe vullnetarë, të cilët kanë dhënë ndihmë sipas mundësive dhe aftësive të tyre , ndihma e tyre është e mirëpritur dhe shumë e vlefshme.
Përfshirja e Ushtrisë në ditët e fundit është vlerësuar gjithashtu si një kontribut i rëndësishëm, veçanërisht në zona të thella pyjore ku mjetet civile nuk kanë qasje të lehtë.
“Që nga dita e diel jemi në terren, fillimisht në Bllacë, më pas në fshatrat Çuçer-Sandevë, Manastir, Makedonski Brod dhe Gazi Babë, në bashkëpunim me brigadën e zjarrfikësve të Shkupit dhe Qendrën për Menaxhimin me Kriza. Nuk jemi kompetentë për të dhënë deklarata mbi punësimet, por siç shihet nga situata në terren – asnjëherë nuk ka mjaftueshëm forca. Në raste të caktuara është përfshirë edhe ushtria, policia dhe banorët e zonave.”, kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve, Artan Demiri.
Demiri theksoi se, megjithëse Shoqata ka pasur dikur rreth 280 anëtarë, aktualisht janë aktivë vetëm 10 deri në 15 vullnetarë, për shkak të angazhimeve personale të secilit. Ai shtoi se resurset janë të kufizuara dhe çdo ndërhyrje shoqërohet me konsum të mjeteve ekzistuese.
Ai bëri thirrje që shoqatës mund ti bashkohen vullnetarë të rinjtë sepse shoqata është e hapur për persona nga mosha 18 deri në 50 vjeç.
Ndërsa institucionet vazhdojnë të jenë në gatishmëri, dhe puna në terren është përforcuar nga vullnetarë e trupa ndihmëse, apeli kryesor drejtuar qytetarëve mbetet i qartë: kujdesi individual është hapi i parë për të shmangur rrezikun nga zjarret. Komunikimi mes nivelit qendror, komunave dhe strukturave të organizuara vullnetare po shihet gjithnjë e më shumë si një model funksional për përballimin e situatave emergjente në vend.
ARDITA IMERI
