Maqedoni
Ndërtimi i autostradës - korridori 8, Mickoski: Pres që para kohe të përfundohet
14.07.2025 13:40
Mickoski thotë se ndërtimi i autostradave që janë pjesë e korridorit 8 po zhvillohet me një ritëm të përshpejtuar

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ndërtimi i autostradave që janë pjesë e korridorit 8 po zhvillohet me një ritëm të përshpejtuar. Ai shprehu optimizëm se disa prej segmenteve do të përfundojnë edhe para afatit të paraparë, duke pasur parasysh intensitetin aktual të punimeve.
“Me tempo të fuqishme po punohet në ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan. Është hapur front. Më shumë se 75% nga fronti për punë është hapur. Punohet me dinamikë të pandërprerë, një numër i madh i aktiviteteve do të realizohen këtë vit. Gjithashtu me dinamikë të pandërprerë punohet edhe në autostradën Tetovë-Gostivar, si dhe në autostradën Prilep-Manastir, pres që para kohe, para planit të paraparë të përfundohen.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
VLEN-i për korridorin 8: Po ndërtohet me një ritëm të përshpejtuar
Edhe nga VLEN-i thonë se më në fund angazhimi i tyre u konkretizua.
“Ky është angazhimi i VLEN-it dhe ky angazhim mori formë konkrete me vënien në funksion të një segmenti të autostradës Kërçovë-Ohër, si pjesë e korridorit 8, një nga projektet më strategjike për zhvillimin e vendit. Korridori 8 nuk është thjesht një autostradë, është boshti i zhvillimit ekonomik, lidhjes rajonale dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.”, thonë nga VLEN.
ASh-Taravari për korridorin 8: "FLEN" i pavlerë, shqipja e hequr nga tabelat
Ndërsa me reagim kanë dalë dy krahët e Aleancës për Shqiptarët.
“Mungesa e shqipes në mbishkrimet zyrtare të këtij aksi është një skandal institucional dhe një akt flagrant diskriminimi, i cili tregon qartë prapësinë me të cilën trajtohet gjuha shqipe në projektet shtetërore, edhe kur këto kalojnë përmes zonave të banuara me shqiptarë. ASh nuk do të lejojë që përmes heshtjes së servilëve politikë të normalizohet zhdukja graduale e shqipes nga jeta publike.”, thonë nga ASh-ja e Taravarit.
ASh-Sela për korridorin 8: Fshirja e shqipes është politikë diskriminuese
Edhe nga ASh-ja e Selës thonë se mosrespektimi i gjuhës shqipe është politikë shtetërore diskriminuese.
“Qeveria monoetnike në RMV po ndjek një strategji të qëllimshme, sistematike dhe të vazhdueshme për të margjinalizuar shqiptarët, për të zhdukur gjurmët e identitetit tonë kombëtar dhe për të eliminuar përdorimin zyrtar të Gjuhës Shqipe nga institucionet shtetërore dhe hapësirat publike. Mosrespektimi i gjuhës shqipe nuk është më thjesht neglizhencë – është një politikë shtetërore diskriminuese.”, thonë nga ASh-ja e Selës.
Nga Qeveria kanë bërë të ditur se pjesa tjetër e autostradës nga Klimeshtani deri në Ohër me gjatësi prej 18 kilometrash është duke u përfunduar dhe pritet të vihen në funksion deri në fund të gushtit.
FITIM KRYEZIU
