Maqedoni
Ndryshimet ligjore për pasuri të konfiskuar, të gjitha institucionet mund të kërkojnë automjete të konfiskuara
14.07.2025 14:59
Të gjitha institucionet shtetërore nga sot do të kenë të drejtë të kërkojnë automjete të konfiskuara...

Me ndryshimet e reja të Ligjit për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, të gjitha institucionet shtetërore nga sot do të kenë të drejtë të kërkojnë automjete të konfiskuara nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar për të cilën deri tani, këtë mundësi e kishin vetëm Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Drejtoresha e Agjencisë, Irena Ilievska, bëri të ditur se Agjencia ka në dispozicion rreth 1.700 – 1.800 automjete.
“Sa i përket automjeteve të konfiskuara përkohësisht, Agjencia fillimisht duhet të kërkojë pëlqimin e pronarit nga i cili është marrë automjeti. Nëse ai nuk jep pëlqim, kërkohet miratim nga organi që e ka sekuestruar automjetin. Nëse merret pëlqimi nga njëra palë, Agjencia mund të marrë vendim për dhënien e automjetit në përdorim tek institucionet shtetërore që kanë paraqitur kërkesë. Në këtë rast, institucioni përfitues është i detyruar të paguajë 93% të vlerës së automjetit (sipas vlerësimit) në Buxhetin e Shtetit, ndërsa 7% i shkojnë Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.”, - deklaroi drejtoresha e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, Irena Ilievska.
Për forcimin e kapaciteteve analitike nevojitet kuadër profesional, theksoi drejtori i Drejtorisë për Polici Financiare.
"Koordinimi institucional ende është i fragmentuar. Ekzistojnë interpretime të ndryshme të koncepteve “konfiskim” dhe ”sekuestrim”, si dhe mospërputhje në terminologjinë juridike midis Kodit Penal dhe Ligjit për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar. Këto mospërputhje e vështirësojnë punën tonë në terren. Qasja në të dhëna është e kufizuar.”, - theksoi drejtori i Policisë Financiare, Goran Ivanov.
50% e rekomandimeve të Bashkimit Evropian lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është një hap thelbësor drejt ndërtimit të një shteti ligjor. Lufta efektive kundër krimit të organizuar nuk përfundon me konfiskimin, por vazhdon me ruajtjen, menaxhimin, përdorimin ose kthimin e pasurisë, prandaj kërkohet më shumë transparencë, llogaridhënie dhe profesionalizëm. Këto ishin një pjesë e rekomandimeve për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, të cilat u prezantuan gjatë sesionit të 17-të të Grupit Punues për Drejtësi, Liri dhe Siguri me temë “Efikasiteti i përgjigjes institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj rekomandimeve të BE-së për konfiskimin dhe menaxhimin e pasurisë së fituar nga krimi”, organizuar nga Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.
ARMEND MURSELI
