Maqedoni

Zjarret, 9 zjarre këtë të hënë, 5 zjarre janë ende aktive

14.07.2025 15:13

Në territorin e Maqedonisë së Veriut këtë të hënë janë regjistruar gjithsej nëntë vatra zjarri në hapësira të hapura...

Në territorin e Maqedonisë së Veriut këtë të hënë janë regjistruar gjithsej nëntë vatra zjarri në hapësira të hapura, nga të cilat pesë mbeten ende aktive, ndërsa katër janë shuar, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Zjarret aktive janë raportuar në:
Komunën e Likovës, fshati Hotël, ku digjet bimësi e ulët;
Komunën e Dojranit, fshati Nikoliç, ku është përfshirë nga flakët një pyll me shkurre të ulëta;
Komunën e Çuçer Sandevës, fshati Gornjani, me zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre;
Komunën e Velesit, në afërsi të fshatrave Xhidimirci dhe Krushjë, në një pyll të përzier;
Komunën e Makedonski Brodit, mes fshatrave Creshevo, Lokvic, Krap dhe Slatinë, ku po digjen pyje me lisa, shkurre dhe bimësi të ulët.
 
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, tha se situata më e ndërlikuar është në Makedonski Brod, ku ekzistojnë dyshime se zjarri është shkaktuar qëllimisht.
 
“Në territorin e Makedonski Brodit kemi një zjarr, që është shumë i vështirë për t’u shuar. Ai po zhvillohet në terren të paarritshëm dhe në disa raste kemi arritur ta vëmë nën kontroll ose ta shuajmë, por sërish në afërsi paraqiten zjarre të reja dhe prej këtu lindin dyshimet tona se një pjesë e këtyre zjarreve janë të vëna qëllimisht. Për të përforcuar përpjekjet në terren, është angazhuar edhe një air-traktor nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Shërbimet janë vazhdimisht në terren dhe po merren masa për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
 
Zjarret e shuara janë në komunën e Strugës në fshati Frangovë , ku është djegur një sipërfaqe me kashtë të thatë në Prilep, Vinicë - fshati Dragobrasht dhe në Demir Kapi, fshati Vojshancë.
 
ABIBE QAILI