VMRO-DPMNE për zjarret, dyshime për zjarrvënie të qëllimshme
VMRO-DPMNE hedh dyshime për zjarrvënie...

VMRO-DPMNE hedh dyshime për zjarrvënie të qëllimshme dhe përfshirje politike. Sipas tyre, dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme po forcohen çdo ditë e më shumë. Edhe pse temperaturat e larta ndihmojnë përhapjen e flakëve, dëshmitë e fundit tregojnë se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për faktorë njerëzorë, thonë nga kjo parti.
“Çdo ditë shohim persona të kapur apo të ndaluar, një pjesë e madhe e të cilëve çojnë drejt opozitës. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë edhe më ashpër ndaj të gjithë atyre që ndezin qëllimisht zjarre. Se kemi të bëjmë me një skenar dëshmon edhe fakti që LSDM-ja prej ditësh me një lloj të çuditshëm kënaqësie ndjek me gëzim zjarret, ndonëse institucionet kanë reaguar më mirë se kurrë më parë – falë pajisjeve shtesë dhe motivimit të lartë.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM kërkon më shumë mjete për mbrojtje nga zjarret
Nga ana tjetër, opozita maqedonase, LSDM, kërkon rritjen e mjeteve për mbrojtje nga zjarret dhe për këtë kanë dorëzuar edhe një amendament në Kuvend për ndarjen e 500 milionë denarëve. Deputetja Sanja Llukarevska theksoi se, ndonëse ligji parashikon një zjarrfikës për çdo 1.500 banorë, aktualisht ka dy herë më pak zjarrfikës.
“Bazuar në këtë përllogaritje, ka dy herë më pak zjarrfikës sesa norma e paraparë me ligj. Gjithashtu, vazhdon të jetë problem mungesa e automjeteve dhe e pajisjeve. Aktualisht, nëse e marrim parasysh këtë dispozitë ligjore, kemi më pak se 400 zjarrfikës në të gjitha njësitë, ndonëse ai numër, apo jo, duhet të jetë mbi 800. Një pjesë e zjarrfikësve punojnë me automjete të vjetra, disa edhe nga vitet ’50, dhe me pajisje të vjetra, ndërsa nuk ekziston as ndonjë qendër trajnimi e përshtatshme për përgatitjen e zjarrfikësve të rinj dhe atyre aktualë.”, - theksoi Sanja Llukarevska nga LSDM.
Nga LSDM akuzojnë se komunat janë lënë të përballen vetë me zjarret, pavarësisht ndihmave nga donatorë dhe ambasada.
Kërkojnë përpjekje të përbashkëta për përmirësimin e kushteve në sistemin kundër zjarrit dhe vlerësimin e punës së zjarrfikësve. Apeloi për unitet dhe jo për përfitim politik nga kjo situatë. (Armend Murseli, TVM2)
