Prioritetet e kryesimit të Danimarkës në KE, RMV ka mundësi, por të përmbushë obligimet

14.07.2025 16:02

Zgjerimi mbetet prioritet i presidencës daneze...

Zgjerimi mbetet prioritet i presidencës daneze në Këshillin Evropian. Këtë mesazh e dha ambasadorja e Mbretërisë së Danimarkës për Maqedoni të Veriut, Pernile Deiler Kardel, e cila në Kuvend prezantoi programin dhe prioritetet e Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së.

Megjithatë, ambasadorja daneze edhe njëherë theksoi se vendi duhet të përmbushë obligimet, të cilat i ka në kornizën negociuese.

Do të donim ta shohim Maqedoninë e Veriut si pjesë e grupit të ardhshëm të shteteve, që do të bëhen anëtare të BE-së. E dini se çfarë duhet të bëhet, ndërsa ne jemi këtu që t’u ndihmojmë dhe t’i mbështesim që ajo të ndodhë. Është e rëndësishme të shfrytëzohet mundësia, nuk mund të garantohet, mirëpo mundësia për zgjerimin është këtu.”, - deklaroi ambasadorja e Danimarkës për RMV, Pernile Deiler Kardel.

Ministri për Çështje Eurointegruese, Orhan Murtezani, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Danimarkës dhe theksoi se kriteret e Kopenhagës duhet të jenë udhërrëfyesi kryesor për vlerësimin e progresit të vendit.

“Kriteret e Kopenhagës duhet përsëri të jenë matësi në bazë të të cilit matet përparimi, e jo kushtëzimet bilaterale, por kapacitetet institucionale, qeverisja e të drejtës, të drejtat e njeriut dhe legjitimiteti demokratik.”, - theksoi ministri për Çështje Eurointegruese, Orhan Murtezani.

Edhe VMRO-DPMNE apelon që çështjet bilaterale të mos shfrytëzohen për bllokim të shteteve në proceset eurointegruese.

“Vendimmarrja unanime në BE mundëson që një vend anëtar për arsye joracionale apo nëpërmjet keqpërdorimit të çështjeve bilaterale të bllokojë procese që kanë rëndësi më të gjerë se sa çështjet bilaterale.”, - u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i kërkoi ambasadores që ta shqyrtojë seriozisht pjesën e Raportit të Parlamentit Evropian, ku thuhet se Maqedonia e Veriut mbetet subjekt i operacioneve armiqësore të ndikimit të huaj.

“Do të doja që ambasadorja daneze të thoshte nëse kjo merret parasysh dhe nëse kjo pjesë e Raportit analizohet kur flitet për forcimin e politikës së sigurisë, se Maqedonia e Veriut mbetet subjekt i operacioneve armiqësore të ndikimit të huaj, duke përfshirë përpjekjet për të ndarë strukturën shoqërore të vendit dhe për të shfrytëzuar ndjenjat antievropiane.”, - deklaroi Venko Filipçe nga LSDM.

Shqetësimet për ndikimet ruse dhe serbe i shprehu edhe deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

“Më shqetësuese është kthimi i procesit aktiv të qeverisë serbe, e cila me politika të ndikimit kulturor dhe religjioz dëshiron të rritë praninë në të gjithë rajonin, duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është strategji akive dhe shumë e rrezikshme për ardhmërinë e vendit tonë.”, - theksoi Halil Snopçe nga ASh e Arben Taravarit.

Gjatë kryesimit gjashtëmujor me BE-në, prioritete të Danimarkës do të jenë edhe politikat e sigurisë, agjenda e gjelbër, por edhe konkurrueshmëria. (Ersan Pajaziti, TVM2)