Komisioni për Financim dhe Buxhet, mbyllet debati rreth propozim-buxhetit
Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet...

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet përmbylli debatin rreth ribalancit të buxhetit për vitin 2025. Por, edhe dita e fundit e debatit nuk kaloi pa reagime, për sa i përket shqyrtimit të amendamenteve.
Deputetët e Frontit Evropian reaguan ashpër, pasi që zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nikollçe Jankullovski, refuzoi amendamentin e Frontit Evropian për ndarjen e mjeteve shtesë për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, por pranoi amendamentin e VMRO-DPMNE-së, ku kërkuan mjete shtesë për Universitetin e Shtipit.
“Të ndahen plus 11 milionë e 350 mijë denarë.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Dijana Toska.
“Amendamenti nuk pranohet.”, - u shpreh zëvendësministri i MF-së, Nikollçe Jankullovski.
Por, amendamenti i deputetit të VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, u pranua kur kërkoi 5 milionë denarë për Universitetin e Shtipit.
“Kërkoj që të sigurohen mjete në vlerë prej 5 milionë denarë për funksionim të Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip.”, - u shpreh Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
“Amendamenti pranohet.”, - tha zëvendësministri i MF-së, Nikollçe Jankullovski.
Dhe ky vendim i zëvendësministrit të Financave ngjalli reagimin e deputetëve të Frontit Evropian.
“Të nderuar qytetarë, ne vazhdimisht e kemi njoftuar opinionin për diskriminimin e vazhdueshëm të kësaj qeverie, me atë që zëvendësministri për Financa nuk i pranoi amendamentet tona që kishin të bënin me përmirësimin e gjendjes në Universitetin “Nënë Tereza” që kishin të bënin me kushtet për studentët dhe pagat për administratorët dhe profesorët. Tani pranon një amendament që vjen nga një deputet i shumicës parlamentare dhe që kemi këtu një shembull konkret se si diskriminohen edhe studentët, edhe qytetarët, edhe Universitetet.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Por, Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE-ja na rikujtoi se sa mjete kjo Qeveri ka ndarë për Universitetin “Nënë Tereza”.
“E nderuara profesoreshë, a ju kujtohet në fillim të vitit se kjo Qeveri ka siguruar plotë 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza”. Në Universitetin e Tetovës me këtë ribalancë ndahen 139 milionë denarë plus. Për Universitetin “Nënë Terezën” kemi ndarë 9.7 milionë denarë më shumë edhe atë prej fillimit të vitit deri tani.”, - deklaroi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Anëtarët e komisionit hodhën poshtë edhe amendamentet e LSDM-së për mjete shtesë për personat, të cilët pësuan në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. (Fitim Kryeziu, TVM2)
