Lufta Rusi – Ukrainë, Ukraina do të pajiset me sistemet të mbojtjes ajrore “Patriot”

14.07.2025 19:45

Ukraina do të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”...

Ukraina do të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” për t’u mbrojtur nga sulmet ruse, njoftoi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Sipas Trampit, kjo dërgesë do të jetë pjesë e një marrëveshjeje përmes së cilës vendet e NATO-s do të mbulojnë shpenzimet.

Një pjesë e armëve të prodhuara në ShBA, të cilat Ukraina i kërkon, tashmë janë të vendosura te aleatët në Evropë.

Presidenti amerikan Tramp, përpara një deklarate të rëndësishme mbi luftën në Ukrainë, shprehu sërish pakënaqësinë ndaj homologut të tij Putin.

“Ende nuk kam vendosur për numrin, por ata do të marrin (sisteme), sepse u duhen për mbrojtje. Por, Bashkimi Evropian do të paguajë për këtë. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë. Do të jetë biznes për ne dhe do t’u dërgojmë “Patriotë”, që u duhen dëshpërimisht, sepse Putini i ka habitur shumë njerëz. Flet mirë-bukur, pastaj bombardon gjithë natën. Pra, kemi një problem të vogël këtu. Nuk më pëlqen.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Rute, është për një vizitë dyditore në Uashington. Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm amerikan, Kellog, ndodhet për një vizitë njëjavore në Ukrainë në një kohë kur luftimet e ashpra vazhdojnë në lindje dhe forcat ruse pretendojnë se kanë pushtuar dy vendbanime në rajonin e Donetskut.

“Informacionet e ofruara do të jenë gjithëpërfshirëse. Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë plotësisht se çfarë mund të bëhet për të detyruar Rusinë të ndalë luftën.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ndërkohë, Franca do të rrisë shpenzimet ushtarake në 6.5 miliardë euro gjatë dy viteve të ardhshme, për shkak të kërcënimeve të reja dhe të paparashikuara. Presidenti Makron bëri thirrje për më shumë përpjekje për të mbrojtur Evropën dhe për të mbështetur Ukrainën.

“Nëse liria jonë ka një çmim, ky është ai. Ne jemi brezi që nuk e ka përjetuar luftën, të vendosur që fëmijët tanë të mos njohin gjë tjetër përveç paqes. Por, të jemi të qartë: Ne nuk kemi më përfitimet e paqes nga të cilat përfituan prindërit tanë. Pa asnjë dyshim, që nga viti 1945, liria jonë nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar se tani. Paqja në kontinentin tonë kurrë nuk ka qenë kaq e varur nga vendimet tona aktuale.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Nga Kremlini thonë se akoma janë në pritje të përgjigjes nga Ukraina për një datë të re, për një raund të ri të bisedimeve në Stamboll.

“Shihet padyshim se Kievi nuk po shpejton. Ende presim propozime për afatet. Pala ruse është e gatshme të vazhdojë dhe ta mbajë raundin e tretë të bisedimeve. Kjo është ajo që mund të thuhet nga mënyra se si po zhvillohet kjo situatë.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov.

Në Pekin, ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Kinës shkëmbyen mendime mbi çështje si Gadishulli Korean, kriza në Ukrainë dhe çështja bërthamore iraniane. Lavrovi, më herët u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jongun.

Pheniani konfirmoi se mbështet pa kushte të gjitha veprimet e udhëheqjes ruse për të zgjidhur shkakun themelor të krizës në Ukrainë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)