Liga e Kampionëve, Shkëndija – TNS, të martën në RTM

14.07.2025 20:01

Shkëndija dhe TNS do të luajnë ndeshjen e kthimit...

Shkëndija  dhe TNS do të luajnë ndeshjen e kthimit në kuadër të kualifikimeve për Ligën e kampionëve evropian. Ndeshja e parë në Uells mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar  pa gola. Duke u bazuar në atë se cila skuadër ka përparësinë e terrenit, atëherë do thënë se skuadra tetovar ka gjasa reale për kualifikim në rrethin e dytë të kualifikimeve për Ligën e kampionëve.

Sot para gazetarëve dolën trajneri Beqiri dhe Ibraimi që dhanë parashikimet e tyre për ndeshjen e kthimit.

“Jam optimist dhe besoj që futbollistët nesër që do të dalin në fushë, si ato nga fillimi, por edhe ato që do të inkuadrohen më pas, janë të përgatitur dhe do të bëjnë paraqitje e cila do të na mundësoj të plasohemi më tutje” – tha trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri.

“E rëndësishme është që në ndeshjen e parë e arritëm rezultatin që dëshironim të gjithë së bashku. Tani jemi të pëgatitur maksimalisht, luajm në shtëpi, e njohim këtë stadium dhe besoj që me përkushtimin e çdo futbollisti do ta arrijmë rezultatin pozitiv” – u shpreh kapiteni, Besart Ibraimi.

“Besoj që ne do të jemi shumë të qetë, do të jemi me këmbë në tokë. Secila ndeshje ka histori të veta, ndeshja luhet 90-ta minuta, por ka edhe vazhdime, pasi takimi i parë ka përfunduar me barazim. Unë jam optimist, duke u bazuar në kualitetin e futbollistëve, ne jemi ekip që jemi ndërtuar dalë ngadalë që kemi qenë sezonin e fundit kampion të vendit. Gjithmonë tradicionalisht në këtë fushë, si Shkëndijë luajmë mirë, qoftë në kampionatin e Maqedonisë qoftë në arenën europiane dhe unë jam optimist, por duke qenë në një kontroll dhe duke e bartë të njejtën tek futbollistët dhe duke qenë më të qetë. Në qoftë se ne do të vrapojmë shumë, do të jemi shumë serioz dhe do të arrijmë të shfaqim të gjithë potencialin që kemi në skuadër, besoj se jemi ekip më i mirë se TNS-ja dhe me ndihmën e Zotit dhe pak fat shpresojmë se ne do të jemi ekipi që do të gëzohemi në fund”. – deklaroi trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri.

“E rëndësishme është që ekipi të shkojë më tutje dhe të kualifikohemi. Normal se unë si sulmues, dua dhe çdo herë kam tentuar që të shënoj, por e rëndësishme është që të kontribuoj për ekipin dhe shumë pak rëndësi ka se kush shënon në këto ndeshje, e rëndësishme është që të arrijmë qëllimin që kemi” – theksoi kapiteni, Besart Ibraimi.

Këtë ndeshje të martën do ta ndiqni në transmetim direkt në TVM 2 nga ora 20:00. (Safet Ademi, TVM2)