Maqedoni

Ivanov fajson Kosovën për Kumanovën, Jahjaga: Mbështesim stabilitetin në Maqedoni

16.05.2015 13:35

Presidenti Gjorge Ivanov u ka dërguar një letër presidentëve të shteteve anëtare të OKB-së...

Presidenti Gjorge Ivanov u ka dërguar një letër presidentëve të  shteteve anëtare të OKB-së, me anë të cilës dëshiron që fajin kryesor për konfliktin e 9 majit në Kumanovë, t’ia vë Kosovës dhe disa politikanëve shqiptarë në Maqedoni.
 
 Ivanov përmes letrës së tij , akuzon Kosovën se nuk ka ndërmarr masa për parandalimin e përleshjes së armatosur në Kumanovë.
 
Në letrën e Ivanovit, e cila përmban disa pika “sqaruese” për ngjarjen e Kumanovës, thuhet  se njerëzit që kanë ndërmarr aksionin në Maqedoni kanë qenë të lidhur ngushtë me disa liderë politikë të Kosovës.
 
Por këto insinuarta të Ivanovit që involvojnë Kosovën në ngjarjet e para një jave në Kumanovë, janë hedhur poshtë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. 
 
“Ripërsërisim edhe njëherë faktin se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën euroatlantike, që ndërton dhe respekton marrëdhëniet e mira fqinjësore si një parakusht i integrimeve”, thuhet në reagimin e kabinetit të presidentes së Kosovës.
 
Presidentja Jahjaga në vazhdimësi të zhvillimeve në maqedoni ka mbajtur komunikim të rregullt me bartësit tjerë të institucioneve relevante në kosovë dhe ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke kërkuar nga palët të përmbahen nga dhuna.
 
Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve në maqedoni dhe ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për ofrim të ndihmës në zbardhje të plotë të zhvillimeve në qytetin e Kumanovës, thuhet më tej në reagimin e presidencës së Republikës së Kosovës.
 
NAIM RAMADANI