Botë

Rritja ekonomike e Kinës tejkalon pritshmëritë, pavarësisht tarifave të Trumpit

15.07.2025 13:03

Ekonomia e Kinës ka shënuar rritje më të mirë se pritej, pavarësisht tarifave të SHBA-së dhe krizës së gjatë në tregun e pronave që kanë ndikuar në ngadalësimin e saj....

Ekonomia e Kinës ka shënuar rritje më të mirë se pritej, pavarësisht tarifave të SHBA-së dhe krizës së gjatë në tregun e pronave që kanë ndikuar në ngadalësimin e saj.
 
Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia e Kinës u rrit për 5.2% në tremujorin që përfundoi në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
 
Kjo rritje është pak më e lartë se parashikimi i ekonomistëve prej 5.1%, por më e ulët se në tremujorin e mëparshëm.
 
Ekonomia e dytë më e madhe në botë e shmangu një rënie të madhe, pjesërisht falë masave të marra nga Qeveria dhe një marrëveshjeje të dobët tregtare me SHBA-në.
 
Ekonomia “ka përballuar presionin dhe ka përparuar me qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave”, tha përmes një deklarate Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës.
 
Sipas zyrtarëve, rritja ekonomike u mbështet nga një rritje prej 6.4% në prodhim, falë kërkesave më të mëdha për pajisje printimi 3D, makina elektrike dhe robotë industrialë.
 
Sektori i shërbimeve në vend – që përfshin transportin, financat dhe teknologjinë – gjithashtu pati rritje.
 
Megjithatë, disa ekonomistë presin që Kina të mos e arrijë objektivin e saj vjetor të rritjes prej “rreth 5%” këtë vit.
 
Lufta tregtare mes presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, bëri që SHBA-ja të vendoste taksa prej 145% mbi importet kineze.
 
Pekini iu përgjigj duke vendosur taksa 125% mbi disa mallra amerikane.
 
Këto taksa u ndaluan përkohësisht pas bisedimeve në Gjenevë dhe Londër. Tani, të dyja vendet kanë kohë deri më 12 gusht për të bërë një marrëveshje tregtare afatgjate.
 
SHBA-ja ka vendosur taksa të larta edhe ndaj vendeve që kanë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën./REL