Maqedoni

Tetovë, nesër do të fillojë “Vera tetovare 2025”

15.07.2025 13:34

Me aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e sportive, nesër do të fillojë “Vera tetovare 2025”....

Me aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e sportive, nesër do të fillojë  “Vera tetovare 2025”. Ky manifestim është bërë traditë për qytetin e Tetovës, ndërsa realizohet me mbështetje nga komuna e Tetovës.
 
“Ky aktivitet i organizuar dhe i mbështetur nga komuna e Tetovës përfaqëson një platformë gjithëpërfshirëse. Sfera sportive përfshin aktivitete të ndryshme: gara në not dhe tenis, turne futbolli për mërgatën, ndeshje miqësore ndërkomunale, basketboll në shesh, gara biçikletash, si dhe ekspozita të veturave old-timer dhe luksoze. Segmenti kulturor do të përmbajë orë letrare, promovime të autorëve lokalë dhe rajonalë, ekspozita të artit pamor, tryeza mbi trashëgiminë kulturore dhe historike, si dhe aktivitete leximi për fëmijë në format të hapur veror.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Nuk do të mungojnë edhe netët rinore të cilat do të zhvillohen në fund të korrikut. Ndërsa në fillim të gushtit do të promovohen artizanatet tradicionale të qytetit të Tetovës dhe ushqimet tradicionale.
 
“Në datat 29, 30 dhe 31 korrik janë planifikuar tre mbrëmje muzikore me përmasa masive, ku do të performojnë artistë të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Më 1 gusht do të organizohet Panairi i Artizanatit dhe i Gastronomisë Lokale, me qëllim promovimin e trashëgimisë materiale, zejtarisë tradicionale dhe vlerave kulinarike të rajonit të Tetovës.”, - deklaroi kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Tetova në festë. “Vera tetovare 2025” do të jetë edhe programi i netëve të komuniteteve, që do të zhvillohet në sheshin “Iliria”, si ato shqiptare, maqedonase, turke dhe rome. “Vera tetovare 2025” do të përfundojë më 3 gusht.
 
VISAR SADIKI