Maqedoni
VLEN: Inflacioni në rënie, punësimi në rritje
15.07.2025 13:50
Brenda një viti, Qeveria arriti të miratojë planin operativ për punësim...

Brenda një viti, Qeveria arriti të miratojë planin operativ për punësim, ndërsa janë marrë masa adekuate për përballjen me rritjen e çmimeve, me çka ka rezultuar në rënien e inflacionit. Kështu e kanë cilësuar koalicioni VLEN periudhën njëvjeçare të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas këtij koalicioni, të arriturat në këtë resor janë të dukshme.
“Kemi ndërmarrë masa të forta kundër rritjes së çmimeve, duke kufizuar marzhat për mbi 1.000 produkte. Sot inflacioni është në rënie, ndërsa ushqimet janë më të përballueshme. Me ligjin për punësim fleksibil, për herë të parë punëtorët sezonalë në bujqësi, hotelieri dhe kujdes familjar kanë të drejtën e sigurimeve dhe pensioneve.”, - thonë nga koalicioni VLEN.
ASh – Taravari: Çmime të larta dhe krizë për qytetarët
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit akuzoi Qeverinë për paaftësi dhe mungesë të masave konkrete për përballimin e krizës ekonomike. Sipas saj, shteti po funksionon pa strategji, ndërsa qytetarët çdo ditë përballen me rritje çmimesh dhe ulje të fuqisë blerëse.
“Rritjet e çmimeve në sektorët kyç po vazhdojnë të jenë shumë shqetësuese për qytetarët tanë. Ushqimet bazë dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 6.3%, veshmbathjet kanë pësuar rritje prej 3%, çmimet e energjisë, të ujit, të ngrohjes janë rritur me 2%, ndërsa shërbimet shëndetësore janë shtrenjtuar me 3.2%.”, - theksoi Elfete Ismaili nga ASh – Taravari.
ASh propozon masa konkrete, si ulja e TVSh-së për produktet bazë dhe shërbimet shëndetësore, subvencione për shtresat më të goditura, mbështetje për prodhuesit vendorë, ndalim të spekulimeve dhe kontroll real të çmimeve.
ERSAN PAJAZITI
