Maqedoni
Gjykata Penale në Shkup, 50 vite e 6 muaj burg për grupin e Gërçecit
15.07.2025 14:31
Gjashtë anëtarët e grupit të Gërçecit nga Gjykata Penale në Shkup janë dënuar me burgim të përgjithshëm prej 50 vitesh e 6 muaj....

Gjashtë anëtarët e grupit të Gërçecit nga Gjykata Penale në Shkup janë dënuar me burgim të përgjithshëm prej 50 vitesh e 6 muaj. Katër prej tyre janë dënuar për përfshirje në blerjen e paautorizuar të 15 kilogramëve kokainë, transportimin dhe shpërndarjen e saj në vend, ndërsa dy për bashkim kriminal, me qëllim kryerjen e krimit të vrasjes së dyfishtë në shenjë hakmarrjeje dhe me porosi.
“Të akuzuarit Fadil Bajramovski, Sevdir Aziri, Nexhati Iseni dhe Besim Asani, i shpall si fajtorë. Gjykata e dënon të akuzuarin Fadil Bajramovski në një dënim me burg prej 5 vitesh. Të akuzuarin Sevdi Azirin e dënon me burg prej 5 viteve, të akuzuarin Nexhati Isenin e dënon me burg prej 5 viteve dhe të akuzuarin Besim Asanin e dënon me burg prej 6 vitesh.”, - deklaroi gjyqtarja, Fanka Jançullova Mihailovska.
Gjykata i shpalli fajtorë Fadil Bajramovskin, Sevdi Azirin, Nexhati Isenin dhe Besim Asanin për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope” nga neni 215, paragrafi 3 i Kodit Penal. Bajramovski, Aziri dhe Iseni u dënuan me pesë vjet burg, ndërsa Besim Asani u dënua me gjashtë vjet burg. Gjykata i shpalli dy të tjerët fajtorë për bashkëpunim kriminal sipas nenit 394, paragrafi 3, dhe vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 5 e Kodit Penal. Gjykata e dënoi Fati Sulejmanovskin me një vit e gjashtë muaj burg për veprën penale Shoqërim kriminal dhe 14 vjet burg për veprën penale Vrasje ose me një dënim të vetëm me burg prej 14 vjetësh e gjashtë muajsh. Gjykata e dënoi Shulejb Sulejmanovskin me dy vjet burg për veprën penale Shoqërim kriminal dhe 14 vjet për veprën penale të Vrasjes ose me një dënim të vetëm prej 15 vjetësh burgim. Me vendimin gjyqësor nuk u pajtua pala mbrojtëse. Avokati mbrojtës Angel Georgiev theksoi se dëshmitë të cilat janë përdorur, janë siguruar në mënyrë të paligjshme.
“I gjithë procesi ka kaluar në një atmosferë jokorrekte, ku jo të gjitha subjektet në këtë proces ishin të përfaqësuar njësoj. Por, një dilemë mbetet e paqartë, e ajo është se pala e mbrojtjes si argument të fuqishëm e kemi dëshmuar, e ajo është problematizmi dhe ligjshmëria e sigurimit të dëshmive përmes rrugës dhe përdorimit të aplikacionit Skaj-Ecc, respektivisht të inkriptimit të numrave të telefonit dhe aparateve. Pikërisht Gjykata në Berlin për një rast solli vendim që mos t’i marrë për bazë dëshmitë e tilla dhe është rrugë e jashtëligjshme. Pra, organet franceze pa një urdhër evropian për hetuesi kanë sulmuar në mënyrë hakeriste serverin e dytë në Lion, ku i kanë siguruar të gjitha këto të dhëna.”, - u shpreh pala mbrojtëse, Angel Georgiev.
Anëtarët e grupit të njohur në opinion si grupi i Gërçecit u arrestuan në janar të vitit të kaluar. Grupi veproi vazhdimisht nga qershori 2019 deri në mars 2021 dhe hetimi përfshiu 15 persona, disa prej të cilëve tanimë janë të vdekur, ndërsa disa të tjerë, duke përfshirë udhëheqësin e grupit Sheval Muharremi, janë ende të pakapshëm për organet e rendit.
FITIM KRYEZIU
