Maqedoni

Konferencë, llogaridhënia financiare për zgjedhjet

15.07.2025 14:48

Pothuajse të gjitha partitë politike i kanë respektuar afatet e parashikuara kohore për dorëzimin e raporteve financiare...

Pothuajse të gjitha partitë politike i kanë respektuar afatet e parashikuara kohore për dorëzimin e raporteve financiare për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar. Kryerevizori shtetëror Maksim Acevski tha se gjatë kësaj periudhe nuk ka vërejtur shkelje të mëdha të fondeve buxhetore. Ai shprehet i kënaqur me llogaridhënien e partive politike, sepse siç tha, prej gjithsej 60 parti, vetëm katër nuk i respektuan afatet ligjore për dorëzimin e raporteve financiare dhe raporteve të donacioneve.
 
“Vetëm disa parti mbetën të bllokuara me vendim të ministrit të Drejtësisë, sepse nuk i respektuan afatet e parapara kohore për dorëzimin e raporteve financiare, edhe pse ata paraprakisht ishin të informuara nga Enti Shtetëror për Revizion se duhet t’i përmbahen afateve të parashikuara kohore dhe të njëjtat t’i dorëzojnë.”, - deklaroi kryrevizori shtetëror, Maksim Acevski.
 
Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor në kohë pa dyshim se do të kontribuojnë në organizimin e zgjedhjeve më të mira, fer dhe demokratike, thanë përfaqësuesit e ambasadave të huaja, të cilët ndër vite ndihmojnë vendin gjatë organizimit të zgjedhjeve. Ata apelojnë se në ndryshimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor kurdo që ato të ndodhen, do të inkorporohen të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe të Entit Shtetëror për Revizion.
 
“Shpresojmë që rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe konkluzionet e zyrës së Entit Shtetëror për Revizion do të merren parasysh në ndryshimet dhe plotësimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor, në mënyrë që ndryshimi i tij i duhur dhe në kohë do të kontribuojë në organizimin e zgjedhjeve më të mira. Shpresojmë që kjo të ndodhë në kohë.”, - theksoi ambasadorja e Zvicrës në Shkup, Hullman.
 
“Të gjitha rekomandimet duke i përfshirë edhe ato të OBSE dhe ODIHR-it duhet të zbatohet pa prolongim, sepse veprim me prolongim sjell rrezik për hamendje të opinionit, përderisa angazhimi i koordinuar dhe konstruktiv mund të sjellë përparim të shtuar dhe të përforcojë kredibilitetin e  institucioneve dhe zgjedhjeve.”, - u shpreh shefi i misionit të OSBE-së - Shkup, Kilian Vall. 
 
Konferenca kushtuar “Llogaridhënies financiare për zgjedhjet” u organizua në bashkëpunim me Entin Shtetëror për Revizion, misionin e OSBE-së në Shkup, programin zviceran për mbështetjen e zgjedhjeve dhe u zbatua nga  Fondacioni Ndërkombëtare për Sisteme Zgjedhore IFES. 
 
REXHEP QAMILI